Barkodi si simbol i konsumit dhe kontrollit

Milot Gusia

Vështrim rreth veprës "Volume" të realizuar nga Instituti për Art Epifani

nga: Milot Gusia 

Instituti për Art Epifani realizoi veprën e artistit Art Çibukçiu në galerinë On Top Residency. Ky instalacion u kurua nga Fatmir Musafa Karllo.

Art Çibukçiu shndërroi një objekt të zakonshëm të jetës moderne – barkodin në një vepër arti, për të ftuar audiencën të reflektojnë rreth çështjeve, si konsumerizmit, identitetit dhe kontrollit.

Duke transformuar këtë shenjë në një skulpturë monumentale prej metali, artisti shtynë audiencën të reflektojë rreth kuptimit më të thellë të këtij simboli në jetën tonë.

Megjithëse, dikur konsumi ishte qëllimi i mbijetesës tonë, sot ai është kthyer në vet qëllimin e ekzistencës tonë. Kjo është dhe momenti kur individi dhe shoqëria fillojnë të humbin kuptimin. 

Siç kishte pohuar filozofi i njohur Erich Fromm: “Njerëzit konsumojnë, që të ekzistojnë, por kur konsumi bëhet qëllimi i vetëm i ekzistencës njerëzore, ai shkatërron individin dhe shoqërinë.”

Çibukçiu përdor metalin si një material të qëndrueshëm për të mishëruar fuqinë e sistemit ekonomik global, konsumerizmit dhe prodhimit masiv. 

Duke e kthyer barkodin në një objekt të fortë dhe fizik, artisti arrin ta shndërroj skulpturën në një strukturë imponuese që ngarkon shikuesin me peshën e saj duke nënvizuar rëndësinë që po fiton konsumi në shoqërinë tonë.

Përmes kësaj vepre, Çibukçiu eksploron kuptimet dhe konotacionet e shumëfishta që mbart ky element përtej funksionit të tij të dukshëm. Barkodi përveçse është një strukturë unike që identifikon objektet që përfaqëson, njëkohësisht është shenjë e standardizimit dhe homogjenizimit të çdo gjëje në shoqëri.

Ky standardizim i individit përmes makinerisë konsumuese, e bën njeriun dhe jetën e tij gjithnjë e më të pakuptimtë. Viktor Frankl dikur kishte thënë “Në një botë të tejngopur me konsum, shumë njerëz janë të uritur për kuptim.”

Barkodi në veprën “Volume” poashtu paraqet fuqinë e kontrollit që shoqëria moderne ja imponon individit. Presioni i vendosur mbi individin për të konsumuar gjatë fazës së formimit të personalitetit të tij po çon në pasoja të rënda psikologjike dhe sociale.

Konsumerizmi po e ngrit ndjenjën e pasigurisë dhe nënvlerësimit. Individi gjithnjë e më shumë po frustrohet dhe zhgënjehet duke ju nënshtruar reklamave në mediat sociale, të cilat nuk përputhen me jetën e tij të përditshme dhe me realitetin e tij. Dëshira për të arritur imazhet e reklamuara nga shoqëria e konsumit po bëhen të pamundura për tu arritur.

Duke simbolizuar njëkohësisht fuqinë e monitorimit, ku çdo produkt përmes barkodit mund të ndiqet dhe kontrollohet, vepra poashtu paraqet tendencën e pandërgjegjshme të shoqërisë për të përfshirë njeriun në sistemin e vet të standardizimit dhe vëzhgimit. 

Ironia e kësaj gjendje ngrehet në vepër, duke ju drejtuar individit, si faktorit i cili i votoi këto ndryshime. Siç kishte pohuar shkrimtarja amerikane Anna Lappe: “Çdo gjë që blini është një votë për llojin e botës që doni të jetoni.”

Artistë të shumtë bashkëkohorë përdorën barkodin për të paraqitur në formë krijuese tematikat e identitetit dhe vëzhgimit. Scott Blake përdori barkode për të krijuar portrete, për të paraqitur shkrirjen e individit në imazhin konsumues të opinionit publik. Blake në artin e tij përdori barkode për të treguar në formë ironike shfrytëzimin e famës dhe jetës njerëzore për qëllime konsumuese.

Në mënyrë të ngjashme, artisti britanik Bansky përdori barkode për të paraqitur fuqinë e kontrollit të korporatave mbi jetët e njerëzve. Në një prej veprave të tij, Bansky transformon barkodin në një kafshë për të sinjalizuar ndikimin e shfrenuar të kapitalizmit në lirinë individuale.

Duke zbërthyer barkodin në një skulpturë monumentale dhe të përhershme, Çibukçiu arrin të shpërfaq paradoksin e konfrontimit të individit si qenie unike me konsumerizmin si dukuri kolektive. 

Ky konfrontim, shprehet tek presioni që ushtrohet mbi individin për të blerë dhe për tu bërë pjesë e vlerave konsumuese. Dave Ramsey më së miri e kishte përmbledhur këtë gjendje me thënien: “Ne blejmë gjëra që nuk na duhen, me para që nuk kemi, për të impresionuar njerëz që nuk i njohim.”

Vepra “Volume” e artistit Çibukçiu ngre një dialog tjetër të rëndësishëm rreth asaj se si shoqëria e jonë bashkëkohore ndërvepron me sistemet e konsumit dhe monitorimit. Me veprën e tij përveçse thekson ndikimin e këtij simboli në jetën tonë të përditshme, Çibukçiu poashtu na bën të reflektojmë rreth ndikimit më të thellë që konsumerizmi ka në identitetin tonë dhe lirinë tonë personale. Shtyllat metalike të barkodit që në skulpturë që bllokojnë pamjen e peizazhit natyrorë, simbolizojnë edhe burgosjen e individit.

Artisti përmes veprimit të tij në bën të mendojmë më thellë për realitetin e ri që kemi krijuar, ku çdo gjë është e regjistruar dhe kodifikuar, duke na bërë njëkohësisht të mendojmë rreth kuptimit të vërtetë dhe rëndësisë së lirisë, në një shoqëri të dominuar nga globalizmi, konsumi dhe teknologjia

.

Vepra “Volume” është realizuar në galerinë pa mure “On Top Residency”.

Për autorin

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.

Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.

KOMENTO

Rishtaz

Albanian