Ngadhënjimi i Empatisë

Nga: Milot Gusia

Ngadhënjimi i Empatisë

Milot Gusia

Artistja Iskra Blagoeva, anëtare e Institutit të Artit Bashkëkohor në Sofje, në kuadër të projektit “Vetëshpjegimi – Ngadhënjim i empatisë” (Self-splaining – a Triumph of Empathy) të organizuar në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, prezantoi veprën e saj në formë të objektit nga argjendi dhe zirkoni me titull: “I want to know what love is, I want you to show me” (Dua të di se çfarë është dashuria, dua të më tregosh”).
Titulli është huazuar nga balada e rok bendit Amerikan Foreigner e vitit 1984. Artistja përmes veprës së saj na ngacmon me titullin provokativ dhe objektin e përzgjedhur për të prezantuar institucionin martesor. Objekti në formë të boksit të hekurt i punuar nga unazat martesore është një deklaratë e qëllimit në shoqërinë patriarkale.

Iskra Blagoeva – I want to know what love is, I want you to show me

 Është e vërtetë se tradita martesore ka reflektuar një dinamikë të pabarabartë të fuqisë në mes të gruas dhe burrit. Përkundër rritjes së barazisë gjinore në shoqërinë bashkëkohore, traditat martesore akoma përjetësojnë ide patriarkale. Propozimi i burrit për martesë, planifikimi i ndarë gjinor i martesës dhe ndryshimi i mbiemrit të gruas, dëshmojnë një formë të dinamikës gjinore në një nivel institucional dhe individual (Anne Lise Ellingsæter, “Resisting or maintaining gender inequality?, 2022”).

Gratë kanë qenë gjithmonë në pozitë të pafavorshme në institucionin martesor. Kuptimi i martesës është thellë i rrënjosur në patriarkat dhe pabarazinë gjinore. Historikisht gratë janë shtyrë në martesë për shkak të pasigurisë ekonomike. Në të kaluarën kjo ishte forma më e mirë e mbijetesës për një grua. Tradicionalisht, martesa si institucion është konsideruar si një aleancë strategjike në mes të dy familjeve, për të siguruar një stabilitet dhe prosperitet afatgjatë. Prandaj, martesa siguronte që të drejtat dhe ndjenjat e gruas të mbeteshin të nënshtruara, gjersa reproduktimi – e vetmja gjë që mund të kontrollohej nga gruaja – ishte mbajtur me vendosmëri në domenin e burrave. (Caroline Zielinski, “First comes love, then comes marriage. Not for me, thanks”, 2015)

Ashtu si dhe objekti i Blagoevës, një grusht i hekurt i cili tërheq me shkëlqimin e tij, me gurë që reflektojnë me shumë ngjyra, martesa ka joshur për shumë vite gratë, duke mos analizuar ndikimin e këtij institucioni politik në jetën e tyre të ardhshme.
Në mbarë botën, martesa ka nisur si një formë e organizimit politik dhe ekonomik të jetëve njerëzore; dëshirat e individëve pjesëmarrës në këtë institucion kishin qenë të anashkaluar (Stephanie Coontz, “Marriage, A History”). Sipas historianes Margaret Hunt, “Martesa konsiderohej si një mjet i transferimit të pronës, statusit, kontakteve personale, parave, veglave, bagëtisë dhe gruas përgjatë gjeneratave dhe grupeve të ndryshme”. Sipas Stephanie Coonz-it “për klasën punëtore, martesa ishte forma kryesore e konsolidimit të pasurisë, transferimit të pronësisë, ardhjes në pushtetin politik madje edhe sigurimit të marrëveshjeve paqësore”. Boksi i hekurt na kujton dhunën ndaj gruas dhe nënshkrimin e saj në këtë pushtet të ri.
Martesa tradicionalisht ka përfshirë një formë të nënshtrimit të gruas në punë të shtëpisë dhe kujdesit ndaj fëmijëve, duke fshirë emrin, identitetin, pasurinë dhe profesionin e saj, prandaj bënë të vështirë të përmirësosh themelet e saja të gabuara, dhe kjo kërkon të marrim në pyetje vlerën e martesës në një botë gjithnjë më feministe ( Rajvi Desai, “Marriage Is an Inherently Unfeminist Institution”).

Koncepti i “dashurisë martesore” është relativisht i ri. Prandaj, përkundër përpjekjeve më të mira të Hollivudit për të bërë martesën të duket një epitom i romancës, nuk mund të tejkalojmë esencën e martesës: ajo buron nga një lloj pabarazie institucionale në mes të gjinive që shohin gruan si pronë të burrit, dhe para kësaj të prindit (Caroline Zielinski, “First comes love, then comes marriage. Not for me, thanks”)

Me ardhjen e martesave bashkëkohore, të krijuara përmes dashurisë, dhe të përfshira për arsye emocionale në vend të arsyeve financiare, çiftet filluan ti japin prioritet intimitetit dhe afeksionit me partnerin martesor, dhe mungesa e dashurisë u bë gjithnjë e më shumë e patolerueshme që solli tek konsiderimi i divorceve si opsioneve të daljes nga martesa.

Kështu, me ardhjen e konceptit të zgjedhjes, erdhi edhe mundësia e refuzimit të martesës. Por, marrja e vendimeve anti-martesore akoma mbetet një tabu, sidomos për gratë. Burrat e pamartuar quhen beqarë, ekzistenca e tyre është e stigmatizuar; ndërsa gratë të cilat nuk martohen, u imponohet një ndjenjë e vetmisë të instaluar nga klishetë e pop kulturës (Rajvi Desai, “Marriage Is an Inherently Unfeminist Institution”).

Martesa dhe lumturia në Letërsi

Nëse analizojmë literaturën dhe historinë, gjejmë shumë shembuj të ndërlidhjes së martesës me dhunën dhe mungesën e lumturisë. Ana Karenina kishte një familje në shikim të parë perfekte me burrin e saj, një burokrat i pasur, por, vendos që të nis një lidhje me një kont tërheqës. Lidhja së shpejti shpërbëhet, me zemër të thyer të Anës dhe me vdekjen që e gjen në hekurudhat ruse.

Ema Bovari e Gustave Flaubertit, e mërzitur dhe e pakënaqur në martesë me një doktor të fshatit, vendosë të ikë në botën e fantazisë dhe tradhtisë që sjell tek shkatërrimi dhe fundi i saj tragjik.

Tregimi i Viktor Hygos të dashurisë së pashlyer të Kuazimodos me performuesen e bukur të rrugës Esmeraldën poashtu ka një epilog tragjik. Pasi ndjekësi xheloz i Esmeraldës vret shoqëruesin e saj, ajo fajësohet padrejtësisht, dhe varet.

 Dashuria a Romeos me Zhulietën – protagonistët e veprës së Shekspirit – është e damkosur nga familjet në grindje. Të dy dashurohen në shikim të parë dhe martohen fshehurazi por janë të frenuar për të qenë së bashku nga frika e mospëlqimit të familjeve të tyre. Për të gjetur një formë të bashkimit, Zhulieta falsifikon vdekjen e saj me pasoja tragjike.

 Një klasik tjetër i letërsisë i bazuar në legjendat Kelte, “Tristani dhe Isolda” është një tregim i një princeshe e cila, e zotuar të martojë një mbret, dashurohet në nipin e tij, Tristanin. Të dy përfundojnë të ndarë. Tristani vdes nga dëshpërimi, duke menduar se Isolda e kishte tradhtuar, ndërsa Isolda vdes mbi trupin e Tristanit.

Dashuria në një aspekt mund të konsiderohet si një institucion i dominimit social të një grupi (burrave) ndaj një grupi tjetër (grave), në të cilin gjuha e konstruktuar sociale dhe etiketa e dashurisë është e dizajnuar për ti fuqizuar burrat dhe shfuqizuar gratë. Sipas kësaj teorie, dashuria është produkt i patriarkatit, dhe vepron si një lloj opiumi i grave.

 Sipas një studimi të martesave bashkëkohore “Gratë e sotme janë partnerë martesor përgjegjës për intimitetin emocional të familjes, për adoptimin e dëshirave të tyre seksuale ndaj kërkesave të burrave, për monitorimin e raportit dhe zgjidhjen e konflikteve nga një pozitë nënshtruese, dhe për të qenë të pavarura aq sa të mos kërcënojnë burrat e tyre.” Kjo dëshmon se gratë janë akoma të shtypura në martesë.

Teoricienët feminist kanë shkruar gjerësisht rreth patriarkatit si një nga format primare të shtypjes së grave. Shulamith Firestone beson se patriarkati është i shkaktuar nga pabarazitë biologjike në mes të gruas dhe burrit, si p.sh. kur gratë mbarsin fëmijë, ndërsa burrat jo. Firestone shkruan se ideologjitë patriarkale mbështetin shtypjen e gruas duke u bazuar në shembullin e lumturisë së procesit të lindjes së fëmijës, të cilin ajo e quan një mit patriarkal. Sipas Firestone-it, gratë duhet të fitojnë kontrollin mbi reproduktimin për tu liruar nga shtypja. Historiania feministe Gersa Lerner beson se kontrolli mashkullor mbi seksualitetin femërorë dhe funksionet reproduktive është shkaktari fundamental i patriarkatit (Lerner, Gerda “The Creation of Patriarchy- Women and History.” Oxford University Press). Alison Jaggar poashtu thekson patriarkatin si shkaktarin kryesor të shtypjes së grave. Sipas Alisonit sistemi i patriarkatit arrin këtë duke tjetërsuar gratë nga trupat e tyre.

Kapitalizmi Patriarkal

Teoricienët e sistemeve ndërvepruese Iris Marion Young dhe Heidi Hartmann besojnë se patriarkati dhe kapitalizmi ndërveprojnë së bashku për ti shtypur gratë. Young, Hartman dhe feministët tjerë socialist përdorin termet si kapitalizmi patriarkal për të përshkruar raportin e ndërsjellë në mes të kapitalizmit dhe patriarkatit në prodhimin dhe riprodhimin e shtypjes së grave (Rosemarie, Tong; Botts, Tina Fernandes “Feminist thought: a more comprehensive introduction”).

Sipas Hartmannit termi patriarkat ridrejton fokusin e shtypjes nga ndarja e punës tek morali dhe përgjegjësia politike e anuar drejtpërdrejt tek meshkujt si gjini. Duke qenë sistematik dhe universal, koncepti i patriarkatit paraqet një adoptim të konceptit të Marksit të luftës së klasave (Hartmann, Heidi “The Unhappy Marriage of Marxism and Feminism”)

Sipas Lindsey Germanit, patriarkati nuk është rezultat i shtypjes së grave nga burrat apo seksizmit per se, ku burrat as nuk identifikohen si përfituesit e këtij sistemi, por vet kapitali. Prandaj, lirimi i grave duhet të fillojë me vlerësimin e pozitës materiale të gruas në shoqërinë kapitale ( Lindsey German: “Theories of Patriarchy”, www.marxists.org). Në këtë aspekt German ndryshon nga Young Hartmann duke refuzuar nocionin “e vërteta e përjetshme”, apo se ekskluzivisht patriarkati është në rrënjët e shtypjes së grave.

Me këtë mund të përfundojmë se objekti në formë të boksit të hekurt i punuar nga unazat martesore është vërtetë një deklaratë e qëllimit në shoqërinë e sotme patriarkale dhe kapitaliste, ku gruaja akoma mbetet e shtypur në forma të shumta.

Për autorin

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.

Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin e Staffordshire Britani e Madhe.

KOMENTO
Albanian