Kritikë: Nga Vepra Japonia

Nga: Milot Gusia

Mbresa nga Vepra "Japonia"

 Milot Gusia 

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në kuadër të ekspozitës “Synime” pata rastin të shikoj një përmbledhje të shkëlqyer të opusit të veprave të artisteve vendore. Në kuadër të seksionit “Arkivat e Trupit” pata rastin të shikoj një video instalacion të artistes Fitore Isufi – Koja, me titull “Japonia”.

Japonia është njëra nga video veprat e hershme Kojës. Flamuri, i cili valëvitet në qetësi nën një melodi pothuaj hipnotike të Leonard Cohenit (Hallelujah), shpërfaq traditën vendore të harruar në pjesët urbane, megjithëse, akoma ekzistuese në pjesët rurale të Kosovës. Kjo traditë ka të bëjë me festimin e virgjërisë së gruas pas natës së parë martesore duke ekspozuar çarçafin e bardhë të çiftit të njollosur me gjakun e virgjërisë, një dëshmie të pastërtisë femërore në familjen e burrit. Flamuri – i cili në ikonografi në formë metaforike aludon në flamurin Japonez – sfidon rëndësinë e zakoneve tradicionale në një shoqëri bashkëkohore.

Virgjëria është një dukuri e cila ka pasur një ndikim të rëndësishëm në shoqërinë Shqiptare. Në histori, shkrimtarë të shumtë i kanë kushtuar rëndësi kodeve shqiptare të martesës, gjakmarrjes, mikpritjes dhe shembujve, si “Virgjineve të betuara”, apo grave që janë betuar të mbesin në virgjëri të përhershme. Në këto shkrime, Shqiptarët janë paraqitur që jetojnë në një shoqëri primitive dhe të egër, të shkëputur nga bota e zhvilluar bashkëkohore.

Megjithëse shoqëria shqiptare ka evoluar në vitet e fundit, tema të caktuara që ndërlidhen me traditat kanunore kanë mbetur akoma tabu.

Sipas Nebi Bardhoshit, ekspertit kanunor, sipas kodit zakonor shqiptar: “Tradicionalisht nëse nusja kuptohej që e ka humbur virgjërinë para natës së martesës, ajo normalisht kthehej mbrapsht tek familja dhe mbyllej në shtëpi përgjithmonë, ose martohej prapë me një burrë të një statusi më të ulët,”.

Fatkeqësisht këto tema janë akoma aktuale, sidomos në zonat rurale të Kosovës dhe Shqipërisë. Nëse hedhim një sy në jetën e përditshme të provincave, shumica e vajzave martohen të reja për shkak të kodeve kanunore që mos të konsiderohen si të pamoralshme. Nëse vajza fillon një marrëdhënie intime me një mashkull, ai duhet të jetë bashkëshorti i saj i ardhshëm.

Sipas vajzave të rajoneve rurale duhet të jesh e virgjër dhe ta ruash nderin të paprekur që të mund të martohesh me një burrë të përshtatshëm.

Ky mentalitet është prezent pothuaj në të gjitha zonat rurale të Kosovës. Në këto provinca, mbas perëndimit të diellit, ende është e rrallë të shohësh femra të pashoqëruara. Lokalet janë shpesh plot, por klientët janë kryesisht në shumicë të gjinisë mashkullore.

Në anën tjetër, vajzat nga fshatrat vendore detyrohen të “rivirgjërohen” për të kaluar provimin e natës së martesës. Dhe sipas autores Lindita Arapi: “kjo shtron pyetjen se deri kur shoqëria jonë do të ushqejë vetë gënjeshtrën?”

Për të plotësuar kërkesat e burrave tradicional, klinika të shumta restaurojnë virgjërinë për pak euro në formën e një membrane artificiale, thjesht për të lumturuar burrat që duan të ngrehin flamurin me njollën e gjakut.

Për autorin

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.

Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.

KOMENTO

Rishtaz

Albanian