Ditari NeoMetafizik
Milot Gusia
Vështrim rreth krijimtarisë artistike të Gjelosh Gjokaj
Rrugëtimi i zhvillimit artistik tek shumë krijues është i përcaktuar nga përvojat e hershme jetësore, veçanërisht ato të fëmijërisë. Përvojat fëmijërore dhe kujtimet e fëmijërisë ndikojnë në tre drejtime tek shprehja e artistit: në tematikën artistike, në stilin artistik dhe në zhvillimin e hershëm të frymëzimit artistik.
Artisti Gjelosh Gjokaj (i lindur më 1933) shtegtimin e tij artistik e nisi nga një mjedis modest, por, me një trashëgimi të pasur kulturore dhe etnografike. Fshati i tij i lindjes, Mileshi në trevat e sotme të Malit të Zi, shquhet me bukuri të rralla dhe me peizazhe unike të cilat kanë frymëzuar artistë dhe udhëpërshkrues të shumtë.
Zona malore e Mileshit e pasur me bimët e veçanta endemike, të rralla dhe relikte të shumta ishin pjesë e fëmijërisë së artistit. Shtëpitë e fshatit dhe plantacionet e shumta dekoronin peizazhin e Malësisë.
Poashtu, theksoheshin format dhe relievet karstike të përbëra nga gëlqeroret dhe dolomitët me maja të pasura malore, si dhe me akullnaja dhe lugina të akullta në maja. Prandaj, artisti fillimisht frymëzimin e gjeti në rrethin e tij, sidomos në materialin e gurit, si përbërësin kryesorë të kësaj treve.
“Guri ka qenë gjithmonë një simbol për mua. Jam marrë për një kohë të gjatë me përjetimet e gurit. Kam studiuar format e tij. Kur arrita të zotëroj teknikën e përjetimit të gurit, gjeta vetveten, fitova pavarësinë dhe fillova të imponohem me artin tim. Të kuptohemi, ky është një proces që vazhdon ende…” (Gj. Gjokaj, “Përkimet dhe Bukuria e Mallkuar” – A. Podrimja).
Kjo ishte dhe fillimi i preokupimit të artistit me botën e përditshme dhe vernakulare. Përvoja e mbledhur nga proceset kognitive dhe psikologjike është një trup i madh i burimit krijues dhe shprehjes emocionale të artistit. Prandaj, krijimtaria artistike mund të thuhet se është një sublimim i përvojave personale të artistit.
Çdo gjeneratë e artistëve është thellësisht e rrënjosur në mjedisin e vet kulturorë dhe edukimin me një sens të mprehtë kohorë.
Kujtimet fëmijërore pashmangshëm do të gjejnë rrugën e vet në veprat e krijuesit, çoftë qëllimisht apo pavetëdijshëm.
Por, kujtimet fëmijërore janë një frymëzim “krijues” në rrethana të caktuara e jo mjete për reproduktim. Madje, nëse individë të shumtë takojnë një skenë identike jetësore dhe realizojnë një vepër artistike për te, qasja e tyre artistike do të jetë plotësisht e pangjashme.
Preokupimin fillestar në art, Gjokaj e shprehu përmes një simbolizmi sintetik. Në këtë periudhë, theksohet interesimi i artistit për folklorin, etnografinë dhe trashëgiminë, të cilën tentoi ta shprehte përmes teksturës së theksuar.
Por, ai asnjëherë nuk e keqpërdori folklorin në artin e tij. “Ne kemi një folklor shumë të pasur, por duhet ditur se si ta shfrytëzojmë atë, e jo ta banalizojmë” kishte pohuar Gjelosh Gjokaj (Donjeta Abazi, 2000).
Ndikim të madh në zhvillimin e mëtutjeshëm të talentit të tij, kishin studimet në Akademinë e Arteve Pamore në degën e grafikës tek profesori Boshko Karanoviq.
Ai studioi grafikën, ku arriti të zhvillojë gjuhën e tij unike të shprehjes artistike duke treguar një kuptim më të thellë të teknikave të grafikës, por edhe të vijave, formave dhe raporteve hapësinore. Pasioni i tij i lartë për artin e grafikës solli atë tek eksplorimi i botës së një figuracioni të theksuar metafizik.
Pas diplomimit të tij më 1963, fillojnë të shfaqen kokat dhe elementet figurative, të cilat tani materializohen përmes teksturës së gurit. Në këtë aspekt, artisti fillon të kristalizojë artin e tij në një filozofi më komplekse me elemente të artit avangard.
Në artin e Gjokajt fillon të vërehet ndikimi i artit Neo Objektiv që kishte marrë rrënjët e tij edhe në skenën e artit të rajonit në fillim të viteve të gjashtëdhjeta si reaksion ndaj trashëgimisë së modernizmit.
Kjo rrymë me një tendencë të ringjalljes së figuracionit ishte prezente edhe në artin e atëhershëm Evropian.
Në këtë art, piktura e Gjokajt u bë një formë e narratives kritike e drejtuar nga realitetet e civilizimeve bashkëkohore. Ajo ishte një lloj dialogu me shoqërinë përmes ironisë, aluzionit dhe groteskes.
Vërehet hapur ndikimi i Maks Bekmanit, Oto Diksit, dhe Gjorgj Grosz-it. Artisti fillon të ndërthurë tregimet reale të fëmijërisë së tij me ëndrrat, mitet, dhe fabulat popullore duke krijuar kështu narracione vizuale të hapura.
Në veprat e para figurative artisti tregon ngjashmëri në qasje me Bekmanin, i cili kundërshtoi abstraksionin dhe ruajti dëshirën e tij për “të mbajtur magjinë e realitetit dhe për të transferuar këtë realitet në pikturë.”
Artisti filloi të shtresojë figurat dhe shenjat, si dhe ngjyrat dhe hijet duke i mundësuar atij që me sukses të përkthejë realitetin e tij në piktura të mahnitshme figurative.
Neo objektivizmi i mundësoi atij të shpreh përmes artit edhe manifeston e tij politike e sociale duke u angazhuar vizualisht në shpërfaqjen e preokupimit me Luftën e Dytë Botërore dhe rrezikun e asgjësimit njerëzor, por edhe të gjendjes politike në Jugosllavinë e pasluftës.
Është interesante të theksohet, se arti në Ish Jugosllavi qysh pas viteve 1950 nisi të tregonte shenja simbolike të shkëputjes nga temat ideologjike të realizmit socialist, me grupet si ai i Zadarit (1947) etj.
Ekspozitat e artistëve si Antun Motika, Ivan Meshtroviq, Miljenko Stančić, Miroslav Šutej e Janez Bernik të pas viteve 1950 shënuan një nismë të modernizimit dhe përhapjes së internacionalizimit artistik në ish Jugosllavi.
Poashtu, ishte i shprehur arti Enformel i cili akoma më tutje largoi artin e rajonit nga realizmi socialist por edhe nga arti modernist i pasluftës.
E gjithë kjo klimë e artit i mundësoi artistëve si Gjelosh Gjokaj të fitonte një fuqi të shprehjes artistike, si dhe të përdorte artin e tij për të shprehur qëndrimet e tij politike.
Ambienti rural i fshatrave të zonës së Malësisë, ishte shprehur përmes asocimeve të fuqishme figurative. Ato sidomos shprehen tek figurat dhe paleta e ngjyrave të artistit. Gjokaj qëllimisht ishte i frenuar në përdorimin e ngjyrave. Ai dëshironte t`i mbetej besnik koloritit të fëmijërisë së tij, çagjës në oxhaqet e shtëpive, misrit, mishit të thatë dhe nuancave të hirit që dominonin sofrën e shtëpisë fshatare.
“Unë dikur kam qenë adhurues i koloritit, porse unë e kam parë pikturën time të reduktuar nga ky element, sepse koloriti i tepruar i bën pikturës shumë dëme. Piktura me tre-katër ngjyra, si grafika duket estetikisht shumë më e mirë”.
“Në pikturën time dominojnë ngjyra blu dhe e hirit. Ngjyra e hirit ka lindur prej ambienteve fshatare: hirit, tymi dhe çagja. Ndërsa, ngjyra blu, është ngjyra e lumit që e kam përjetuar në vendlindjen time”.
Veprat e artistit Gjokaj tregojnë edhe ndikimin e Neo Metafizikës së De Kirikos por edhe të surrealizmit të Rene Magritit. Elementet e metafizikës dhe surrealizmit shprehen përmes mbivendosjes së elementeve të pazakonshme për të krijuar një atmosferë transcendente duke ruajtur figuracionin dhe stilin realist.
Por, përkundër Kirikos i cili kishte përdorur arkitekturën klasike, Gjokaj përdorë arkitekturën tradicionale për të krijuar një mjedis të shkretë dhe të ftohtë me hije të theksuara.
Kontrasti i madh në mes dritëhijeve thekson kualitetet misterioze të kompozicioneve të tij duke i shtuar atyre ndjenjën jashtëkohore.
Figurat e ftohta njerëzore që popullojnë hapësirat ëndërrimtare ngjajnë me kukullat e De Kirikos. Këto figura të mënjanuara nga shprehjet dhe emocionet theksojnë më tej ndjenjën e shkëputjes dhe misterit.
Për të materializuar frymëzimin e tij me materialin e gurit, artisti nisi të thellohet në teknikën e përshtatshme të grafikës.
Tani, tek materiali i gurit artisti fillon të gjejë edhe analogjinë me popullin e tij.
“Tek guri për mua gëlojnë të konkretizuara format e jetës shqiptare” pohonte Artisti Gjokaj.
Guri si material, përveç që arriti të kishte një vlerë të madhe me reliefin dhe teksturat e pasura që krijonte në sipërfaqen e grafikës, tani filloi të kishte edhe konotacione simbolike.
Papritmas, përmes gurit artisti mund të arrinte të tregonte storien e plotë të jetës së tij. Guri tani sugjeronte fuqinë, qëndrueshmërinë, dhe rezistencën e njeriut. Të gjitha këto epitete karakterizonin njeriun e zonës së ashpër malore dhe jetën e tij.
Ngjashmëria në mes të njeriut dhe mjedisit të tij ishte befasuese. Kështu, Gjokaj përmes artit të tij dhe stories së gurit nisi të rrëfejë jetën e tij. Kjo është karakteristike për shumë artistë të njohur.
Eduard Munch pohonte: “veprat e mia janë në të vërtetë një vetë-reflektim i raportit tim me jetën time dhe një rrëfim i qëllimshëm. Unë shpesh ëndërroj të përmirësoj kuptimin e të tjerëve rreth meje përmes krijimtarisë time” (Munch). Poashtu, artisti Gjokaj përmes artit të tij kishte për qëllim të përmirësonte kuptimin e të tjerëve rreth kulturës së vendit të tij.
Guri tani simbolizonte themelin e shtëpisë së fëmijërisë së tij, dhe urën e kalimit në rrugët e mërgimit por dhe ishte një monument i rezistencës njerëzore ndaj vështirësive të jetës. Guri lidhte malësorin me tokën, energjinë dhe i jepte stabilitetin si dhe siguronte rrënjët e tij.
Tek guri artisti gjeti dhe harmoninë si dhe sensin e balancimit. Mbajtja e gurit i ndihmonte artistit të ruante ekuilibrin në kohërat turbulente të historisë së tij jetësore.
Metamorfoza e materialit të gurit përmes proceseve gjeologjike pasqyrohej tek rrugëtimi i tij i rritjes, ndryshimit dhe vetëzbulimit.
Por, guri si material nuk kishte vetëm konotacione simbolike por edhe metafizike. Përmes gurit artisti ndërlidhej edhe me natyrën.
“Për shembull, folëm për Cemin, lumin e vendit tim, që më nxiti ta lidh njeriun me gurin dhe me fosilet nga lumi. Kur e shoh njeriun, apo kafshën para këtyre shpellave, ata bëhen pjesë përbërëse e gurit dhe natyrës…” (nga Monografia e Gjelosh Gjokajt).
Kur ne ecim këmbëzbathur mbi gurët e lumit të vendeve malore, ne ndiejmë edhe sot lidhjen primare me planetin tonë – një rikujtim për vendin tonë në rendin natyrorë.
Secili gur rezonon me energji specifike, duke ndikuar mirëqenien tonë emocionale, mendore dhe fizike.
Gurët janë si kapsula të kohës. Ata mbajnë kujtesën e kohës, duke dëshmuar në heshtje kalimin e mileniumeve.
Në petroglifet e shtëpive, kullave e urave të lashta të malësisë janë të gdhendura urtësitë, përvojat dhe tregimet e paraardhësve.
Filozofi Plotini krahasoi shpirtin me skulptorin që formëson veten nga guri i vrazhdë i ekzistencës. Ashtu ishte edhe artisti Gjelosh Gjokaj, i cili arriti të skalisë shpirtin e tij përmes krijimtarisë së tij artistike.
Krijimtaria e artistit Gjokaj sipas preokupimeve të tij ndahet në disa etapa të ndryshme.
Në etapën e parë të artistit dallohen veprat e natyrës së simbolizmit sintetik.
Etapa e dytë përfshin një stil metafizik i cili është i shprehur me robotë, koka, torzo dhe objekte tjera që është edhe etapa e preokupimit me Luftën e Dytë Botërore dhe rrezikun e asgjësimit njerëzor.
Poashtu, veçohet etapa e ciklit të veprave me titull ‘’Ditari nga Roma’’ dhe ‘’Zogjtë’’.
Më vonë, Gjokaj i kthehet pikturës abstrakte ku tregohet ndikimi i artit Enformel.
Ky stil përkon me zhvillimet në skenën e artit të rajonit që nisi të vendosë themelet e anti-artit, me qëllim që t`i rezistonte tradicionalizmit.
Ky stil kundërshtoi pikturën si bartësin e skenës. Me fjalë tjera, ai themeloi imazhin si konsekuencë të procesit të realizimit. Aksioni dhe gjesti kishin funksionin e shkatërrimit të formës dhe eliminimin total të objektit konkret.
Në vitet e shtatëdhjeta Gjokaj bartet në Romë, të Italisë, në një qendër plot gjallëri kreativitet e inovacion. Atje, ai zhytet në skenën vibrante të artit, duke qëndruar përkrah kolosëve si Renato Gottuso e Franco Gentilini.
Takon edhe Pikason. Më 1977 shpallet si piktori më i mirë i vitit në Itali. Mirëpo, përkundër talentit të tij të rrallë dhe dedikimit, Gjokaj ballafaqohej me sfida të mëdha. Paragjykimet ndaj tij si artist i Ballkanit pengonin njohjen e tij të mëtejshme.
Në vitet e tetëdhjeta kalon në Augzburg, Gjermani ku vazhdon të veprojë deri në fund të karrierës së tij.
Rëndësia e artistit Gjelosh Gjokaj është e shumanshme. Në rend të parë, ai konsiderohet si krijuesi i drejtimit të grafikës profesionale në Kosovë, duke qenë pedagog dhe iniciues i hapjes së këtij drejtimi.
Së dyti, ai formoi një stil të veçantë arti që me kohë arriti të identifikohej si rryma e artit bashkëkohorë të Kosovës.
Kjo rrymë ishte e shprehur tek shumë breza artistësh nga Kosova që studiuan në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
Prandaj, me një qasje unike ndaj artit, Gjelosh Gjokaj arriti të krijojë një identitet unik të artit bashkëkohorë të Kosovës që dominoi për një kohë të gjatë në veprat e gjeneratave të artistëve vendor, deri më ardhjen e brezit të artistëve konceptual.
“Në Kosovë po vërehet një rrymë e re, që nuk mund të mos admirohet. Prandaj, unë i çmojë të rinjtë që “rrezikojnë” t`i hyjnë një rruge të re.”(Gjokaj tek V. Miftari. Zëri, 2000.)
Referencat:
- Shkëlzen Maliqi (2024). Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj. Linku: https://www.galeriakombetare-rks.com/al/ekspozitat
- Ali Podrimja (2000). Përkimet dhe Bukuria e Mallkuar. Zëri.
- Donjeta Abazi (2024). Ekspo/ Aroma e ekzistencës – Gjelosh Gjokaj në Galerinë Kombëtare rë Kosovës. Express. Linku: https://www.gazetaexpress.com/ekspo-aroma-e-ekzistences-gjelosh-gjokaj-ne-galerine-kombetare-re-kosoves/
- V. Nura (1984). “Neometafizika dhe Simbolika”. 17.12. 1984. Rilindja
- V. Miftari (2000). “Hapet Ekspozita Personale e Gjelosh Gjokajt”. 11.05.2000. Zëri
- Ollga Peroviq. 10.10.1986. Titograd.
- Mustafa Ferizi (2003). Filozofia e qëndresës. Linku: https://www.forumishqiptar.com/threads/21514-Gjelosh-Gjokaj
Për autorin
Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.
Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.