Takimi me Errësirën
Milot Gusia
Vështrim rreth veprave “Meeting the Darkness” nga Irem Tok
Veprat e artistes Irem Tok (lindur në Stamboll më 1982) përbëjnë një aventurë të ndalur në kohë në të cilën ajo shpalos tregimet e saj individuale. Përmes kësaj forme të kohës së ndalur nga ndikimet e kohërave të historisë njerëzore, artistja tenton të hulumtojë mundësitë e eksplorimit të një historie tjetër, ku njerëzit nuk janë më protagonist apo në qendër të saj.
Prandaj, arti i saj preokupohet me mënyrën si të lexohen tregimet që nuk përfshijnë botën njerëzore dhe kulturën që njerëzit krijojnë, kështu arrin të krijojë një botë tjetër e cila nuk është humanocentrike.
Artistja kritikon idetë e modernizimit dhe progresit të rrejshëm që vendosin botën në një aks humanocentrik, ndërsa, natyrës i japin atribute sekondare. Përmes veprave të saj, ajo inkurajon një këndvështrim të ri të shikimit të jetës.
Krijimtaria e fundit e artistes Irem Tok përbëhet nga gdhendja e fjalorëve, enciklopedive, dhe librave të tjerë të vjetër duke i banuar volumet e tyre me bota miniaturale, apo mikrokozmose mundane të përbëra nga bimët, uji, drunjtë, njerëz që bredhin dhe here herë edhe me avatarët personal.
Me formatin e artit miniatural, Tok na kujton veprat e artistes dhe fotografes Tatsuya Tanakas, dhe dioramave të saj miniaturale, të cilat transformojnë në formë gjeniale objektet e përditshme. Për shembull, flega e mangos tek Tanaka kthehet në një ishull me dru palmash, tabela elektronike kthehet në një fushë golfi, ndërsa rrotujt e gazetës formojnë valët e surfimit.
Por, përkundër Tanakas që në fokus ka njeriun, tek veprat e Irem Tokut njeriu dhe ngjarjet e tij nuk janë më në qendër të vëmendjes.
Në këtë aspekt veprat e saj me hapësirat e zbrazëta na kujtojnë më shumë artistin amerikan Thomas Doyle, dhe skenat e tij mikroskopike. Në veprat e tij Doyle shpërfaqte figura njerëzore, peizazhe dhe shtëpi të demoluara. Këto vepra të balsamosura brenda xhamit, krijonin një atmosferë të çuditshme dhe ëndërrimtare duke e bërë vëzhguesin që nga një pozitë pothuaj hyjnore të shikojë poshtë fragmente nga jetët e përditshme njerëzore.
Por, tek veprat e Irem Tok, xhami është i larguar, dhe ne mund të shikojmë botën e saj të papenguar, ndërsa njeriu është vetëm një pjesë e vogël e tregimit.
Ekspozita e fundit e Tok-ut, me titull “Meeting Darkness” apo Takimi me Errësirën ofron variacione të reja në qasjen e saj karakteristike. Në veprën “Zamanın tanığı”, (Dëshmitari i Kohës, 2023), një liqen minuskul qëndron në majë të pesë volumeve të Enciklopedisë Franceze. Koka e figurës me sy të kaltër nga qeramika e një gjinie ambiguoze dhe me lëkurë me ngjyrë, ngritët mbi ujërat epokside.
A është ky person gjysmë i fundosur viktimë e ngrohjes globale? Zhytja e tij në volumet e aranzhuar në formë tematike (histori, politikë, filozofi dhe religjion në volumin e parë, pasuar nga gjeografi, ekonomi, shoqëri, dhe gjuhësi në volumin e dytë) jep shenja se shkenca dhe humanizmi kanë dështuar në mbrojtjen e ekosistemeve të botës (Kaya Genç, 2023).
Qëndruar pezull nga tavani mbajtur nga katër korda metalike, vepra dëshmon për virtuozitetin e Tok-ut për ndërtimin skenik. Ajo tregon ngjashmëri me veprën “Heart of Darkness” (Zemra e Errësirës), e cila shpërfaq një tunel që zhbiron pesëmbëdhjetë volume të enciklopedisë Turke.
Përkundër veprës “Witness of Time” e cila karakterizohet me tematikën ujore, veprën “Heart of Darkness” definon zjarri dhe shkatërrimi. Duke përdorur degëza të thara, Tok krijon pyje mikroskopike në një ngjarje që duket se kaplohet nga zjarret e egra, për të theksuar përmes kësaj skene të katastrofës njëkohësisht zhdukjen e letrës së shtypit në epokën e mungesës dhe kolapsit ekologjik. Kështu, në formë gjeniale përmes letrës së shtypit artistja arrin të mishërojë kushtet dhe pasojat e prodhimit të saj.
Studimet e Tok-ut të letrës marrin një formë më minimaliste në veprën “Denemeler” (Eksperimentet), e vitit 2023. Në katër studimet e vogla që përbëjnë këtë cikël, Tok shqeu faqet në fragmente miniaturale. Më e vogla e këtyre veprave tregon gjashtë dënga të gazetave apo zhurnalëve, të aranzhuar në formë alternative vertikalisht-horizontalisht, sikur në raftet e një arkivi.
Një copë tjetër e vogël përbëhet nga një grup faqesh të stivuara për të sugjeruar dru të lartë dhe të hollë duke prodhuar kështu një iluzion të pyllit të dendur.
Vepra e tretë ilustron një trajtë malore, ndërsa vepra e fundit përmban dhe transformon volumet e Fjalorit Biografik të Literaturës Angleze nga D.C. Brouningu.
Duke mënjanuar kopertinën e librit të Browningut, vepra zbulon katër gurë të zi të formësuar individualisht përbrenda një baseni të qeramikës. Kjo ndërthurje e letrës me qeramikën e alienon formën e librit derisa respekton atë përmes përqafimit të një formë të re të materializimit.
Librat e zhbiruar dhe kapluar nga krijesa biomorfe sugjerojnë se ato kanë humbur përdorimin e tyre, dhe tani janë vetëm objekte shfrytëzimi për krijesat tjera. Çfarë prezantojnë librat dhe historia njerëzore për krijesat tjera? Asgjë më shumë se disa objekte për shfrytëzim utilitar, si çerdhe strehimi apo banimi. Por, vërtetë çfarë i duhen njeriut librat dhe historia? A nuk është ajo që na largon nga natyra dhe na kthen përsëri tek njeriu?
Veprat e Irem Tok duke paraqitur ngjarjet nga një këndvështrim jo njerëzorë, arrijnë të na edukojnë rreth ndikimit tonë në natyrë. Ato sfidojnë perspektivën tonë njerëzore dhe sfidojnë kuptimin tonë njerëzorë të kategorive të mësuara. Duke eksploruar botën nga një perspektivë jo njerëzore, tregimet e këtyre veprave na inkurajojnë të mendojmë përtej përvojave tona dhe të konsiderojmë këndvështrime tjera. Por, ato poashtu na transportojnë në realitete magjike, të krijesave interesante që ngjallin fantazinë dhe imagjinatën tonë duke na mundësuar që të strehohemi në këto bota fantastike.
Veprat e Irem Tokut, shprehin empati ndaj përpjekjeve, përvojave dhe vështirësive të mbijetesës së botës natyrore. Ato shërbejnë edhe si prezantime alegorike që simbolizojnë botën në mungesë të civilizimit njerëzorë.
Veprat na kujtojnë si do dukej bota pa intervenimin njerëzorë, ku natyra do të rikthente dominimin e saj, biodiversiteti dhe bota e egër do të lulëzonte përsëri përgjatë botës duke krijuar një peizazh krejt tjetër. Mungesa e aktivitetit njerëzorë do të mundësonte ekosistemet të zhvilloheshin të patrazuara, duke ngjallur një biodiversitet të një shkalle të paimagjinueshme sot.
Bota, pa njeriun do ti ngjante një Serengeti përplot me krijesa jonjerëzore. Sot, fatkeqësisht këto krijesa mund ti hasim vetëm në Afrikë, apo edhe më keq vetëm në parqe të mbrojtura.
Duke mënjanuar ndikimin njerëzorë në natyrë, artistja na kujton si mungesa e veprimeve njerëzore (si gjahut, fragmentimit të habitateve natyrore dhe vendosjes së specieve jo vendore), do të sillte tek dinamikat ku natyra do të rikthente ritmin e saj të rregullt. Bota pa intervenimin njerëzorë do të ishte një ekosistem harmonik, divers, i lulëzuar ku natyra do të rikthente përsëri dominimin dhe vitalitetin e saj.
External Links
- Kaya Genç, Irem Tok. Artforum. Linku:https://www.artforum.com/events/kaya-gen-irem-tok-pilot-gallery-2024-553017/
- Pilot Gallery. Irem Tok. Linku:http://www.pilotgaleri.com/en/exhibitions/detail/108
About the author
Milot Gusia works as a professor and editor, as well as a critic in the local and international art scene. He has worked on a number of programs in the field of art and culture.
He completed his master's studies in Graphic Design at the University of Pristina, as well as his MBA studies at Staffordshire University, Great Britain.