Opinion: Martine Syms

Monokrom

Vështrime rreth ekspozitës “Aphrodite’s Beasts”

Nga Milot Gusia 

Dhjetor, 2021

Galeria Fridericianum, në Kassel të Gjermanisë.

Video arti, fotografitë, dhe autobiografitë fiktive të artistes Martine Syms janë të bazuara në një përshkrim në vetën e parë – me gjithë spontanitetin e saj dhe humorin përplot me gabime qesharake. Syms, veprat e së cilës kanë arritur të ekspozohen madje edhe në MoMA më 2017, është krahasuar me artistin Arthur Jafa në mënyrën e zhurmimit të kulturës Afro-Amerikane përmes mënyrës së arkivimit dhe përdorimit të strategjisë antropologjike. Derisa aktivitetet botuese të artistes Syms kanë arritur të krijojnë komunitete të fuqishme që kanë arritur të eksplorojnë çështjet e racës së zezë në Amerikë, arti i saj ka arritur të adresojë çështje akoma më komplekse, si “konditat e njeriut modern” nga një këndvështrim intim – duke zhvendosur dramën ekzistenciale të racës së zezë përgjatë vijave të identitetit politik. Ekspozita me titull: “Aphrodite’s Beasts” apo Bishat e Afërditës, është e para e saj individuale e realizuar në Gjermani.

Në veprën “Hiiiiii! Hi, hi, hi, hi!”, pjesë nga cikli “Ugly Plymouths” (2020), artistja Martine është e parë duke qeshur dhe duke bërë me dorë në njërin nga tre ekranet vertikale. Video instalacioni tre kanalesh formon gjysmë harkun rreth qendrës së hapësirës së galerisë – sikur një festë grupore, duke i lënë hapësirën qendrore vizitorit, të cilit mund ti duhet një moment për tu aklimatizuar derisa zërat dhe imazhet fitojnë kuptim. Cikli “Ugly Plymouths” adopton aluzione nga mediat sociale, tekstimi, dhe takimet onllajn. Klipet e shkurtra imitojnë kinematografinë e popullarizuar nga Storiet e Instagramit.

Në vazhdim të veprës “Hiiiiii! Hi, hi, hi, hi!”, na shfaqet vepra “and, and, and” që në shikim të parë poashtu nuk jep ndonjë ide kuptimplote. Në klipe dominojnë motivet e përditshmërisë, kalimit të kohës, trafikut të bllokuar urban (Martine është e bazuar në Los Angjelos), perëndimeve të njëpasnjëshme të diellit, fishekzjarrëve që ngjyrosin qiellin në fund të çdo klipi. Rrjedha e momenteve të parëndësishme triviale vetëm ngjizet akoma më shumë në një tension narrativ atëherë kur zëri i Martine dhe i një mashkulli (një bashkëbiseduesi nga jashtë ekranit) për një moment sinkronizohen, që duket se ndodh vetëm atëherë kur ata fillojnë të shkëmbejnë shprehje banale, tipike për klishetë e takimeve në rrjetet sociale.

Zëri i artistes është prezent edhe në veprën DED (2021), e cila për nga madhësia e ekranit dhe theksimi bëhet pjesa qendrore e instalacionit. Në këtë vepër, Martine është duke kënduar. Zëri i saj është i zhvendosur në mes të elegjisë dhe ekstazës, rrëfimit dhe pohimit. Gjatë klipit 15 minutësh, figura realistike e Martines, e ndërtuar nga skenimi 3 dimensional i trupit të saj (në pjesën e pasme të fanellës vërehet mbishkrimi: “To hell with my suffering”), endet Hadesi i errët i gjeneruar kompjuterik. Vetëm motivimi është ai që shtyn avatarin e saj përgjatë një fushe të zbrazët gjersa ajo në vazhdimësi performon akte të tmerrshme të vetë shkatërrimit – një thikë në stomak, një plumb në kokë – derisa ajo përfundimisht eksplodon në copëza të panumërta. Vetëm ndryshimi në ndriçim shënon kalimin e kohës gjersa heroina tragjike marshon – duke mbledhur veten, duke qëndruar në këmbë, duke vjellë, duke marshuar tutje, duke u shkatërruar. Provo përsëri, dështo përsëri, dështo më mirë?

Nëse vepra e parë e ekspozitës paraqet gjeste “ready made” që riprodhojnë një natyrë të desinkronizuar, mungesë autenticiteti, dhe vetmie të trashëguar nga ndërveprimi njerëzorë përmes rrjeteve të sotme sociale, vepra e fundit ngrit subjektin e njëjtë në një rrafsh metaforik dhe teatral. “Vepra Ded lexohet si një alegori për shpirtin modern të lirë, të atomizuar, të vetë absorbuar në luftën e tij të dhembshme për vet-optimizim”. (Katharina Weinstock)

Mesi i galerisë Fridericianum shpalos një seri fotografish së bashku me veprën “Lesson LXXV (2017), një imazh i fuqishëm dedikues që përkujton gazin lotsjellës të hedhur ndaj protestuesve të lëvizjes “Black Lives Matter”. Video e shkurtër i përket një kori prej 180 klipeve tridhjetë sekondëshe. Në formë të ngjashme me atë të Arthur Jafa-s, vepra “Lesson I-CLXXX (2014-18) kaplon momente emblematike të traditës së lëvizjeve radikale të zezakëve në Amerikë. Vepra “Lesson LXXV”, në vitin 2017 ishte emetuar në sheshin Times Square.

Kritika kulturore e artistes Syms merr një qasje shumëdimensionale, duke infiltruar mjediset tona të tej komercializuara dhe ndërveprimet e stereotipizuara me mesazhe ambivalente. Për shembull, në mes mallit tjetër të shitores së saj onllajn ne domenin “dominica.la” artistja ofron key chain të printuar me fjalët “Stop protecting yourself” apo Ndaloni së mbrojturi veten tuaj. Në vijë me aktivitetet e artistes jashtë galerisë, ekspozita “Aphrodites Beasts” apo Bishat e Afërditës shqyrton në formë kritike mentalitetet e përsëritura pa kuptim të reklamimit, thënieve inspiruese të Instagramit, dhe ndërveprimeve intime në rrjetet sociale.

Për shembull, loja me thënien e mirënjohur të Samuel Beckett të cituar në njërën vepër të ekspozitës, thotë: “Provo përsëri. Dështo përsëri. Më mirë përsëri. Apo më mirë ma keq. Dështo më keq përsëri. Derisa të sëmuresh përgjithmonë. Të vjellësh përgjithmonë. Të shkosh përgjithmonë.”

Artistja Martine Syms i takon një brezi të ri të artistëve Amerikan me ngjyrë që fokusohen në identitetin zezak dhe portretizimin vetes në raport me tematikat si feminizmi dhe kultura zezake amerikane. Ajo shpesh eksploron kulturën zezake amerikane përmes humorit dhe komenteve sociale.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lëvizjet e ndryshme artistike pothuajse gjithmonë kanë qenë të lidhura ngushtë me lëvizjet e ndryshme protestuese dhe politike. Ndër lëvizjet aktuale politike dhe artistike, shquhet lëvizja “Black Lives Matter”. Artistë të shumtë ju bashkëngjitën kësaj lëvizje duke i dhënë formë dhe përkrahje artistike. Ndër këta artistë të shumtë të profileve dhe niveleve të ndryshme përveç artistes Martine Syms shquhen: Nikkolas Smith, Jabbar Andrews, Gabriel Thomas, Desiree Vaniecia, Charles Smith II, Kayla Faye, Mark Ross dhe Arthur Jaffa.

Ndër artistë të rëndësishëm të influencuar nga lëvizjet politike është edhe Arthur Jafa (i shqiptuar Yay-Fah) i lindur më 1960 në Tupelo të Misisipit, një vendi tepër të ndarë në baza racore. Të dy prindërit e Jafas kishin qenë mësues. Si fëmijë, Jafa mblodhi fragmente të imazheve të gjetura në koleksione që i quajti “the books” apo librat. Krijimtaria e tij ishte e ndikuar nga kultura dhe muzika e mirënjohur afro-amerikane. Ndër inspirimet e tij më të fuqishme kishin qenë jazz muzicientët afro-amerikan si Miles Davies.

Por, lëvizjet aktuale nuk janë të vetmet në SHBA. “Black Arts Movement” apo BAM ishte një lëvizje artistike afro-Amerikane e viteve të gjashtëdhjeta dhe shtatëdhjeta, e cila përmes aktivizmit dhe artit, krijoi institucione të reja kulturore dhe përcolli mesazhet e “krenarisë së zezë” në kohërat e vështira të krizave politike dhe ndasive në baza racore. Amiri Baraka, në atë kohë akoma i njohur si Leroi Jones, konsiderohet si themeluesi i kësaj lëvizje kur hapi “Shkollën e repertorit të Arteve Teatrale të Zeza” (Black Arts Repertory Theatre School).

Lëvizja Black Arts Movement ishte e bazuar në artistët zezak të cilët shqyrtonin përvojat kulturore dhe historike të Afro-Amerikanëve. Lëvizja i rezistonte influencave tradicionale perëndimore dhe gjeti forma të reja për të prezantuar përvojën unike zezake. Shembulli i Barakas, inspiroi shumë të tjerë për të krijuar organizata që shqyrtonin çështjet racore përgjatë gjithë Shteteve të Bashkuara. Megjithëse këto organizata ishin jetëshkurtra, vepra e tyre kishte një ndikim afatgjatë.

About the author

Milot Gusia works as a professor and editor, as well as a critic in the local and international art scene. He has worked on a number of programs in the field of art and culture.

He completed his master's studies in Graphic Design at the University of Pristina, as well as his MBA studies at Staffordshire University, Great Britain.

KOMENTO
English