Never Say Never
Nga: Milot Gusia
Vështrim rreth veprës "Never Say Never"
Monumentet kanë qenë pjese e rëndësishme e historisë së Kosovës përgjatë viteve, duke shërbyer si simbole të fuqisë, kujtesës, dhe krijimit të identitetit kulturorë në Kosovën e pasluftës. Megjithëse këto struktura masive, u ndërtuan nga materialet e qëndrueshme si bronzi për ti mbijetuar kohës, për nga koncepti i tyre artistik treguan të kundërtën.
Duke qenë kritik ndaj trajtimeve didaktike të monumenteve për të favorizuar monumente dhe memorialë më përshkrues që prekin emocionet e shikuesve dhe kërkojnë nga shoqëria jonë, jo vetëm të reflektojnë nga e kaluara, por të reflektojnë edhe ndaj interpretimit të së kaluarës tonë, veprën “Never Say Never” e shoh si një orientim të drejtë në trajtimin e motiveve historike.
Kritika ime ndaj monumenteve të mëparme të ngritura pasluftës është tek “fuqia” e tyre, e cila sugjeronte ide komplete, apo të rreme përmes sensit të mbylljes. Ato sugjeronin se ne kemi bërë gjithçka që është kërkuar të bëhet, dhe i kemi zgjidhur problemet dhe tani ato janë pjesë e së kaluarës. Këto shtatore tipike monumentale glorifikonin protagonistët dhe vendimet e tyre politike, duke lënë anash realitetet dhe situatat e papërshtatshme historike.
Anti monumentalizmi apo kontra monumentet janë të kundërta me idenë e monumenteve. Ato refuzojnë nocionin e monumenteve si emblema elitiste të fuqisë (Monuments and anti-monuments, University of York).
Shembuj të mirë inspirimi për memorialet e pasluftës mund ti kishim anti-monumentet e ngritura të hebrenjve pas luftës së dytë botërore. P.sh. memoriali Kundër Racizmit me titull “Gurët” (Stones) i cili në mënyrë eksplicite kundërshtonte shumë norma të themeluara të monumenteve.
Gjatë natës, artistët nxorën kalldrëmet nga kështjella Saarbrücken në Saarland, që kishte qenë shtabi kryesorë i Nazistëve, dhe në to gdhendën emrat e varreve Hebreje në secilin gur dhe i kthyen ato në kështjellë. Pasi që shkrimi në gur ishte kthyer përmbys, dukja e sheshit mbeti e pandryshuar. Më vonë ky anti-monument ishte riemëruar si “Sheshi i Monumentit të Padukshëm”.
Poashtu, si shembull i mirë për artistët në të ardhmen mund ti shërbejë anti-monumenti “Never Say Never” i artistit Muja.
Çfarë karakterizon një anti-monument? Anti monumenti nuk prezanton një ideologji politike apo një rrëfim (narracion) të fitores. Nuk ka figura grandioze apo imazhe që simbolizojnë luftën apo viktimat e saj (Monuments and anti-monuments, University of York).
Nëse kujtojmë monumentet klasike të Nazistëve, Komunistëve dhe Nacionalistëve në kohën e Sllobodan Millosheviqit, shohim se ata përdorën monumentet si propagandë dhe mënyrë për të përhapur ideologjitë e tyre. Prandaj, artistët e sotëm duhet të reflektojnë se monumentet e stilit klasik nuk janë aspak të përshtatshëm për demokracinë.
Pikërisht, për këtë arsye duhet të zhvillohen forma të reja dhe ide të reja për të shpërfaqur dhe mbajtur kujtesën e viktimave të gjallë, të tilla që shtyjnë shikuesit të konfrontohen me mizoritë e shkaktuara ndaj tyre.
Kalldrëmet e përmbysura të anti-monumentit të Holokaustit “Gurët” sugjeronin varrosjen, por ato poashtu krijonin një ndjenjë zbrazëtie. Ne si shikues e dimë se ekziston një memorial për viktimat aty, por nuk mund ta shohim. Ndjenja e zbrazëtisë lë shikuesin me ndjenjën e parehatshme, por pikërisht këtë reagim artisti kishte për qëllim ta provokonte tek publiku.
Poashtu, vepra e artistit Muja, nuk shpërfaq dhe zmadhon figurën modeste të veprimtarit Demaçi, por thekson veprimtarinë dhe filozofinë e tij të veçantë të rezistencës.
Anti-Monumentet janë forma unike të interpretimit të historisë, ashtu që shtyjnë shikuesin të reflektojë për ekzistencën e tyre. Në vend të krijimit të një narracioni të gatshëm apo rrëfimi për shikuesin, anti-monumentet mundësojnë interpretimet individuale të shikuesve, në formë që mund të ndryshojë si njerëzit shikojnë të kaluarën e vet.
Në vend që të krijojnë një ndjenjë false të fitores, ato i tregojnë shikuesit koston dhe çmimin e fitores duke ngjallur kështu një reagim emocional, sikurse kostoja e fjalës së lirë të zotit Adem Demaçi.
Kontra monumentet sfidojnë mënyrën si monumentet (dhe memorialët) na kujtojnë të kaluarën. Ato nuk janë statike dhe benine. Ato na ftojnë tek mesazhet apo mungesën e tyre, me qëllim të reflektimit rreth të kaluarës (Counter Monuments, 2017).
Xhejms Jang thekson se “kontra monumentet janë kundër prirjeve autoritare artistike që reduktojnë shikuesin në një spektatorë pasiv.” (f. 28 Young, The Texture of Memory).
Kontra monumentet na shtyjnë të ballafaqohemi me historinë dhe protagonistët e saj sy më sy. Ato nuk ofrojnë përgjigje (sikurse monumentet e stilit realist).
Nëse i shikojmë monumentet aktuale të pasluftës në Kosovë, këto shtatore i tregojnë shikuesve se betejat kanë qenë fitore të mrekullueshme, në vend që ti inkurajojnë ata të mendojnë në formë kritike rreth tragjedisë që lufta në Kosovë ka sjellë dhe përpjekjeve të popullit kundrejt okupimit.
Kontra monumentet përshtaten në peizazhin dhe mjedisin e tyre dhe inkurajojnë shikuesit të reflektojnë rreth historisë që ato kujtojnë. Ato përshtaten në mjedisin e tyre dhe shtyjnë shikuesit të ndërveprojnë me to (sikurse gurët e holokaustit që u bënë shtigje për ecje, apo thënia e urtë e zotit Demaçi). Në vend të shtatoreve apo ngrehinave gjigante, gurët u bënë pjesë të jetës dhe mjedisit të përditshëm, ashtu si do të duheshin të ishin dhe kujtimet që memorialët tentojnë të ngjallin.
Artisti Alban Muja, për objektin kushtuar të burgosurve politik që kontribuan në pavarësinë e Kosovës, të udhëhequr nga Adem Demaçi propozoi idiomën “Never Say Never”.
Vepra “Never Say Never” është një materializim unik i filozofisë së artit konceptual në shpërfaqjen e një tematike historike. Vepra e Mujës, në vend që të përcjellë traditën dekadente të monumenteve klasike, përmes një koncepti të pastër të thelluar mirë në detajet historike, nuk hiperbolizon, por ngre lart mendimin kritik të veprimtarëve të shquar gjatë rezistencës historike.
Vepra e Mujës, na përkujton një nga thëniet e mirënjohura të veprimtarit të shquar Adem Demaçi. Kjo vepër konsiderohet si një nga kontra monumentet e para me një koncept bashkëkohorë në periudhën e pasluftës.
Filozofia e Adem Demaçit në kohën e okupimit të Kosovës është përmbledhur mrekullueshëm në idiomën: “Never Say Never” apo “Kurrë mos thuaj Kurrë”. Këtë thënie, Demaçi e kishte shprehur në vitin 1998 në një debat politik televiziv kur ishte ballafaquar me politikanin serb Vuk Drashkoviqin.
Muja ngre lart fuqinë e fjalës, duke e bërë atë qendrën e konceptit ideor të projektit. Artisti Muja duke përdorur fjalët në skulpturë reagon ndaj rrethanave socio-politike në të cilat mungesa e vizionit të qartë dhe filozofisë politike është evident por dhe njëkohësisht ofron një moment për të na shtyrë në mendime. Duke lëvizur në mes të lirikës tekstuale dhe politikës, ai na ofron një manifestim të prekshëm të fjalëve.
Përmes kësaj vepre artisti Muja na kujton veprën “Love” të Artistit Robert Indiana i cili përmblodhi në një fjalë të vetme më të vlefshmen tonë, atë që shpresojmë, çmojmë dhe kujtojmë.
Përdorimi i tekstit në skulpturë për të përcjellë emocion na kujton edhe artistin Robert Montgomery. Përmes një pasioni të thellë për poezinë, Montgomery eksperimentoi gjerësisht me fjalët dhe vizualet, duke analizuar format e ndryshme të asocimit të tyre (MTArt, 2024).
Përmes instalacioneve në formë të billbordeve masive tekstuale ai zhvilloi “poema vizuale”. Kështu, Montgomery bëri artin e poezisë të qasshëm për të gjithë, njëkohësisht duke përmbysur simbolet tradicionale të kapitalizmit në hapësirat publike.
Poashtu, artisti Muja përmes “Never Say Never” e bën fjalën e urtë të qasshme për të gjithë, duke na shtyrë njëkohësisht të mendojmë për format e ndryshme të asociimit të kësaj idiome.
Fjalët kanë fuqinë e tyre për të na inspiruar, motivuar, ngushëlluar dhe shëruar. Fjalët janë fluide dhe të gjalla, prandaj na bëjnë të kujtojmë personat më gjatë. Fjalët e urta të zotit Demaçi ishin motivues të mëdhenj për rezistencën e popullatës në kohën e okupimit. Tek e fundit, fjalët dhe mendimet ishin ato që persekutuan këtë njeri.
References:
Counter Monuments, Interpretation, and Interactive Memory, 25 Shtator, 2017. Linku: https://monumentsinhistory.wordpress.com/2017/09/25/counter-monuments-interpretation-and-interactive-memory/.
Monuments and anti-monuments, University of York, 2024, Linku: https://www.futurelearn.com/info/courses/introducing-art-history-discovering-public-sculpture/0/steps/97688
MTArt, Robert Montgomery, 2024 linku: https://mtart.agency/robert-montgomery/
“NEVER SAY NEVER” universalizes Demachi’s statement about freedom and equality, Shaban Maxharraj, Dhjetor 2022, linku: https://www.koha.net/en/culture/355849/never-say-never-universalizes-the-saying-of-demac-for-freedom-and-equality/
Make History, Not Memory, Daniel Abramson, Linku: https://www.harvarddesignmagazine.org/articles/make-history-not-memory/
‘Never Say Never’, fjalia e famshme e Adem Demaçit përjetësohet në vepër arti nga Alban Muja, Isa Vatovci, 2022. Linku: https://kallxo.com/kulture/never-say-never-fjalia-e-famshme-e-adem-demacit-perjetesohet-ne-veper-arti-nga-alban-muja/
About the author
Milot Gusia works as a professor and editor, as well as a critic in the local and international art scene. He has worked on a number of programs in the field of art and culture.
He completed his master's studies in Graphic Design at the University of Pristina, as well as his MBA studies at Staffordshire University, Great Britain.