Charles III

Milot Gusia

Vështrim rreth shfaqjes Charles III

by: Milot Gusia 

Drama “Charles III” me tekst të Jeton Nezirajt dhe nën regji të Agon Myftarit paraqet një udhëtim në të ardhmen e miteve dhe legjendave popullore shqiptare.
Drama zhvillohet në thellësi të Bjeshkëve të Nemuna, ku dhe ka gjenezën folklori popullor i kreshnikëve, ku bëjnë gjumin e tyre kreshnikët Mujë Bylykbashi e Sokole Halili.

Kush janë Muji dhe Halili në këngët kreshnike? Këto dy figura të vëllezërve kryekreshnikë, Mujit e Halilit janë baza e këngëve kreshnike e legjendave popullore. Pasuria e madhe që posedojnë këto dy figura bazohet në një vazhdimësi të madhe që shtrihet nga mitologjia popullore e deri në epikën legjendare.

Rëndësia e këtyre këngëve qëndron tek shtresimi shumëshekullor i trashëgimisë kulturore, e cila shkon madje deri në antikitet dhe parahistori. 

Në kuadër të kësaj letërsie popullore të përcjellë përmes tregimeve të këtyre protagonistëve përfshihet pothuaj e gjithë kultura e trashëguar shumëshekullore e popullit si: artet e shfaqjes apo spektaklet, ritualet festive, praktikat shëruese popullore, njohjet e natyrës dhe gjithësisë, shkathtësitë artizanale, shprehjet gojore, duke përfshirë madje dhe gjuhën gegërishte si vektorin kryesorë të trashëgimisë kulturore jomateriale.

Eposi i kreshnikëve tregon lidhshmëri me eposet më të vjetra të civilizimit njerëzorë, si ato greke dhe sumere. Muji si figurë ka atributin e tij fuqinë, sikurse Akili, ndërsa heroi tjetër Halili ka atribut bukurinë. Zanat pajtore që mbartin dhe ruajnë fatin e kreshnikëve kanë anët e tyre të dobëta, sikurse dhe Akili në eposin grek apo Samsoni në eposin hebraik.

Për shembull në vargun e përsëritur “nji harap i zi ka dalë prej deti” tregohen ngjashmëri me eposet popullore spanjolle, franceze dhe ato greko-bizantine.

Vjetërsia e këngëve kreshnike theksohet edhe tek lutjet që bëhen në këngë. Muji, zakonisht i lutet për ndihmë Diellit, si një hyjnie pagane: “Fill kah dielli kenka sjellë/ edhe ndimë i paska lypë./-O ti diell, o diell i bardhë…”

Poashtu shprehen Orët e Malit, të cilat zakonisht bëjnë mrekulli shëruese, si shërimin e syve të verbuar të protagonistit të këngës Zuku Bajraktar, mbledhur në Malci të Madhe, Shalë.

Ngjashëm me epin e Gilgameshit edhe kreshnikët e këngëve shqiptare janë pjesërisht njerëz tokësorë dhe pjesërisht rishtarë të një urdhri hyjnor, si marrës të fuqisë së zanave. Shihet se kjo ndërthurje e vetive tokësore me ato qiellore është universale për eposet botërore.

Prandaj, mitologjia e përfshirë në eposin e kreshnikëve është sikur një palimpsest që ka të shtresuar elemente indo-evropiane, ilire, ballkanike dhe shqiptare që dëshmon për një zhvillim epistemologjik gradual të civilizimit njerëzorë.

Charles III – Foto: Qendra Multimedia

Prandaj, autori ka përdorur këtë dramë si një platformë për të shpalosur trashëgiminë e pasur kulturore jomateriale të popullit, që ka bazën tek eposi i kreshnikëve, apo një cikël këngësh me motiv legjendar që zakonisht shoqërohet me lahutë ku në qendër ka heroizmat e dy protagonistëve Mujit dhe Halilit.

Autori i kësaj drame tregon një hulumtim të heronjve epikë dhe lidhjeve të tyre intime me qeniet e mbinatyrshme. Udhëtimi i kreshnikëve në të ardhmen në dramë përshtatet me natyrën e eposit të këngëve kreshnike, të cilat zakonisht zhvillohen duke ndërthurur realen me fantastiken apo të mbinatyrshmen.

Në shfaqje theksohen elementet e konfliktit më krajlitë dhe antagonistët tjerë të agëve të Jutbinës. Jutbina në këngët kreshnike është atdheu shpirtërorë i rapsodëve. 

Baza e këngëve kreshnike, e cila dominohet nga konflikti dhe beteja me popujt tjerë, në këtë rast është sjell në një betejë humoristike me një popull të largët anglez. Nocioni i hakmarrjes apo motivi nxitës i këngëve kreshnike është vendosur bukur tek dueli midis Mujë Bylykbashit dhe Çarlsit të Tretë.

Elementi i çlirimit të robërve duke kryer një akt trimërie është vendosur tek çlirimi i Sokole Halilit nga robërimi. Figura mitologjike e Balozit të Zi na vjen tek figura e Çarlsit të Tretë.

Në shfaqje Edith, që paraqitet si kushërira e largët e Mbretit Çarls nga kureshtja futet në shpellën e kreshnikëve, ndërsa Halili zgjohet nga gjumi i mahnitur nga ajo.

Dukuria e martesave me rrëmbim apo raptit si një veçanti e eposeve kreshnike shqiptare është vendosur tek rrëmbimi i Edithit. (Në shfaqje ajo e shoqëruar nga një fshatar i asaj ane, si kureshtare përfundon në shpellën ku kishin zënë gjumë dy protagonistët).

Charles III – Foto: Qendra Multimedia

Një dukuri tjetër e përshkruar në këngët kreshnike është veçantia e martesave, vëllamërive apo krijimit të lidhjeve intime me pjesëtarët e armikut, që në këtë shfaqje materializohet si dashuria midis Sokole Halilit dhe Edithit.

Autori poashtu përfshin dukurinë e Ekzogamisë, që u përshkrua edhe nga Edith Durham gjatë vizitës së saj në malësinë shqiptare më 1908. Fisi tradicional shqiptar i përkufizuar në eposin popullor brez pas brezi si një bashkësi me prejardhje nga një stërgjysh i vetëm në vijën mashkullore, nuk lejonte martesa brenda fisit prej 12 brezash.

Këtu autori e sjell ekzogaminë në nivel të humorit, duke e bërë Sokole Halilin të shkojë aq larg fisit saqë të kërkojë nuse në Britani. Duke prekur ekzogaminë si institucionin themelorë të etnografisë shqiptare, autori ndërthur edhe fakte të vërteta nga shkrimet e Edith Durham në këtë dramë që duket se zhvillohet në formë farse.

Drama me qëllim që të ndërlidhet me audiencën, ndesh heronjtë mitikë me subjekte nga e sotmja, duke ballafaquar mitologjinë me botën moderne. Muji dhe Halili, në një prej skenave vijnë në Prishtinë, e vizitojnë diskotekën “Fantazia” dhe çuditen me automjetet e asfaltin.

Çarlsi i Tretë vjen në Kosovë dhe bashkë me KFOR-in anglez nisen në një aksion kërkim-shpëtimi, për Edithin e zhdukur pa gjurmë. Pasi e gjen atë, e dërgon prapa në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe më tej duke kërkuar nusen e tij Sokole Halili përfundon i burgosur i Çarlsit të Tretë.

Kreshniku Mujë Bylykbashi për të shpëtuar Halilin niset në një kryqëzatë për në Angli së bashku me kalin e tij besnik.

Kali apo Gjoku, një figurë tjetër esenciale e legjendave shqiptare jetësohet në shfaqje përmes figurës së Gjokut të Mujës duke folur ashtu si dhe në eposet kreshnike. Ai në shfaqje sikurse edhe në këngët kreshnike, i flet audiencës dhe kërcënohet se nuk do të kryej veprimin e kërkuar të udhëtimit në Britani, por pas premtimeve ai plotëson kërkesën. Këtu autori e kthen dramën epike në një shfaqje komike.

Kreshniku Mujë Bylykbashi nuk kërkon pagesë apo shpërblim për çlirimin e të pafuqishmit Sokole Halilit. Edhe kjo dukuri sillet në spikamë në këngët kreshnike e legjendat shqiptare.

Vlerësimi i meritave luftarake të kundërshtarëve në formë objektive na shfaqet tek beteja finale në mes të Mujë Bylykbashit dhe Çarlsit të Tretë (aktruar mrekullueshëm nga artisti Dukagjin Podrimaj).

Shfaqja përfundon me Mujën dhe Halilin duke u kthyer në shpellë për të vazhduar gjumin qindravjeçar me shpresën që kur të zgjohen do të ketë ndryshuar çdo gjë për të mirë. Me këtë autori në formë metaforike tregon gjumin qindravjeçar të eposit popullor.

Megjithëse shfaqja tenton të përballojë heronjtë e legjendave dhe miteve popullore me botën moderne, vështirësia qëndron se këngët kreshnike në esencën e tyre kanë tragjedinë ndërsa shfaqja është kthyer në një komedi. Megjithatë, ndërthurja e komedisë me tragjedinë i jep shfaqjes freski dhe e aktualizon atë duke e zhvendosur në kohë.

Kjo nuk është diçka e re në botën teatrore. Hamleti si një tragjedi e thellë është ri imagjinuar shpesh në adoptime komike, duke i dhënë humor tregimeve melankolike të princit Danez.

“Udhëtimi i gjatë në Natë” i Eugene O’Neil-it, një dramë autobiografike, e njohur për intensitetin emocional, ka inspiruar shumë reinterpretime komike.

Padyshim se drama kombëtare popullore është fare pak e përdorur në teatrin e sotëm bashkëkohorë.

Charles III – Foto: Qendra Multimedia

Një aspekt tjetër të rëndësishëm të etnografisë që sjell në pah kjo shfaqje është edhe përdorimi i dialektit gegë në skenë.

Ndikimi i dialektit gegë në formësimin e karaktereve i ka dhënë kësaj shfaqje një identitet të veçantë. Duke e mjeshtëruar dhe përbrendësuar dialektin e vjetër, aktorët kanë arritur një nivel më të lartë të transformimit.

Përmes gegërishtes ata kanë arritur të lidhen me rolet e tyre, duke kuptuar se dialekti gegë ka një fuqi akoma të pa eksploruar sa duhet për të transportuar me lehtësi si aktorët ashtu dhe audiencën nëpër hapësirë dhe kohë.

Mjeshtërimi i dialektit gegë të etnografisë së pasur popullore është sikur luajtja me një instrument delikat. Ai kërkon praktikë, eksplorim dhe një dedikim të veçantë, duke kërkuar zotimin e fonetikës së pasur të gegërishtes, kuptimit të nën-varianteve regjionale dhe harmonizimin e saktë të shqiptimit.

Ashtu sikurse muzika që mbart teknikën, poashtu dialekti gegë ngritë cilësitë e aktrimit dhe thellësinë e shprehjes artistike. Sfida kreative e zotimit të dialektit gegë në artin e të folurit të sotëm nëse arrihet me sukses pasuron zejen e aktrimit dhe zgjeron repertorin e shprehjes artistike si të regjisorëve dhe shkrimtarëve ashtu edhe të interpretuesve dhe aktorëve.

Dialekti gegë arrin që në skenë të sillet si një mjet i fuqishëm i transformimit madje të qëndrimit fizik të aktorëve, që vërehet posaçërisht tek roli i Mujë Bylykbashit (Dukagjin Podrimajt), por edhe tek rolet tjera, si tek ai i Sokole Halilit (Blend Sadikut) dhe Vjosë Tashollit duke i dhënë dramës një identitet dhe pamje të re.

Në këtë shfaqje aktorët arrijnë me sukses ti tejkalojnë sfidat e autenticitetit, duke i zhvilluar personazhet, e jo duke i reduktuar ato në trope të zakonshme. Ata me mjeshtëri kanë zotuar dialektin që kërkon nuanca subtile dhe sensitivitet.

Dialekti gegë, është më tepër se një lojë e thjeshtë linguistike fjalësh. Ai është një mjet i fuqishëm për ti dhëne jetë çdo personazhi, por edhe për të transportuar audiencën dhe për të pasuruar përvojën teatrale. Duke përdorur dialektin gegë vetë aktorët por edhe audienca në këtë shfaqje kanë zbuluar më shumë rreth personalitetit të tyre se që kanë kuptuar më parë.

Dialekti gegë sipas Faik Konicës është dialekt i artit dhe poezisë. Kjo shfaqje na shtyn të reflektojmë më thellë rreth dialektit gegë.
Për këtë aspekt kanë dhënë mendimet e tyre shkrimtarë të njohur. Faik Konica për cungimin e dialektit gegë gjatë unifikimit gjuhësor thekson:”…për të arritur te njëfarë njësie të foluri (të unifikuar) do t’ ishte ngathtësi, sepse të duash të ndryshojsh të folmen e një populli, do të thotë të ndryshojsh karakterin e tij e të shkatrrojsh personalitetin e tij”.

Dialekti toskë, i gjallë, i zhdërvjellët, i mprehtë, vijimisht në evolucion, e përmbledh mirë karakterin e toskës, që është plot dhunë të përmbajtur, plot shpirt, shkathtësi, dredhi e paqendrueshmëri; dialekti gegë, përkundrazi, i ngadalshëm, i rëndë, i pandryshueshëm, i çveshur nga format me kuptim të dyfishtë, përmbledh për mrekulli karakterin gegë, që është hijerëndë e me nji shpirtdlirësi të bukur, shpesh pa djallëzi, e sidomos armik i risive (F. Konica).

Shkrimtari dhe albanologu i njohur Martin Camaj, ndër të tjera thekson: “… ndër ne i âshtë sjellë shpina traditës, shqipja e lashtë e dokumentueme nuk âsht marrë si komponente në njësim gjuhësor. Në këtë formë “gjuha e njësuar” e sotme mund të quhet thjeshtësim por jo njësim, mbasi në tê nuk janë integrue komponentet historike dhe kategoritë gramatikore bazore të trungut dhe trevës kryesore të shqipes”.

Përdorimi i dialektit gegë në letërsinë moderne por edhe në teatër duhet të jetë më i përhapur sepse ka një potencial të madh artistik.

Kështu, autori duke sjellë në jetë pasurinë e shprehjeve popullore, zhargoneve dhe dialekteve ka dëshmuar ndikimin e madh që ato lënë në audiencë. Fuqia e dramës popullore është pikërisht tek frazeologjizmat shprehjet e vjetra dhe dialekti që mundëson që fabula të rezonojë tek audienca. Dhe vet regjisori Myftari, pohon se “pa dramë kombëtare dhe pa u marrë me veten nuk mund të ketë identitet teatror”.

Charles III – Foto: Qendra Multimedia

Studiuesi i mirënjohur i eposit shqiptar prof. Shaban Sinani e shumë studiues tjerë këmbëngulin që cikli i Mujit dhe Halilit, apo eposet legjendare të ruhen duke hyrë në programet e trashëgimisë folklorike popullore, sepse ato janë ruajtur gjer më sot falë albanologëve të dedikuar, si Milman Parry, Albert Lord, Maximilian Lambertz, Stavro Skëndi, Arshi Pipa e klerikëve françeskanë si Bernardin Palaj e Donat Kurti.

E gjithë kjo pasuri e shtresuar tek këngët kreshnike nuk po arrin të gjejë rrugën në veprat artistike bashkëkohore, duke rrezikuar që ajo të humbet dhe kthehet në harresë.

Eposi i këngëve të lashta kreshnike përfshin brenda vetes njohuri të paçmuara etnografike si: artizanatet, vallet, meloditë popullore, poezitë, përrallat, legjendat, zakonet, lojërat popullore, ritualet, gatimet tradicionale dhe gjuhën e vjetër shumëshekullore.

Në Përgjithësi, përdorimi i onomatopeve të shumta auditive, instrumenteve dhe veglave të pasura etnografike në skenografinë modeste të realizuar nga Nicola Minssen, si dhe kostumeve të realizuara nga Albulena Borovci së bashku me aktrimin e shkëlqyer të roleve të shumëfishta të Dukagjin Podrimajt (Mbreti Çarls i Tretë dhe Mujë Bylykbashit), Blend Sadikut (Sokole Halilit), Vjosë Tashollit, Dardan Gashit (në rolin e Gjokut të Mujës), e Albina Krasniqit (në rolin e Zanës, Edithit e Tanushes) e bën këtë shfaqje të veçantë dhe njëkohësisht na kujton trashëgiminë e pasur të eposit popullorë dhe potencialin që ai mund ta gjejë veçanërisht në teatër.

Referenca:

  1. Dr.Rovena Vata: “Ndriҫime të reja në eposin e kreshnikëve”, 2013. Linku: https://pashtriku.org/drrovena-vata-ndriime-te-reja-ne-eposin-e-kreshnikeve/
  2. Anton Papleka: “Dy zonat e mëdha të epikës sonë legjendare dhe dallimet midis tyre”. Exlibris.al. Maj 2023. Linku: https://exlibris.al/anton-papleka-dy-zonat-e-medha-te-epikes-sone-legjendare-dhe-dallimet-midis-tyre/#_ftn14
  3. Ardian Vehbiu: “Cirku I Ekzogamisë”. Gusht, 2009. Linku: https://peizazhe.com/2009/08/22/cirku-i-ekzogamise/
  4. Florida Kastrati. “Charles III”. SeeStage. Linku: https://seestage.org/reviews/charles-iii-jeton-neziraj/
  5. Martin Camaj për gjuhën. Zëri.info. Linku: https://zeri.info/kultura/135596/martin-camaj-per-gjuhen/
  6. Faik Konica. “Dialektet e shqipes dhe nevoja e shkrirjes se tyre”. Observerkult. Linku: https://observerkult.com/konica-gegnishtja-gjuhe-e-poezise-toskerishtja-e-prozes/

About the author

Milot Gusia works as a professor and editor, as well as a critic in the local and international art scene. He has worked on a number of programs in the field of art and culture.

He completed his master's studies in Graphic Design at the University of Pristina, as well as his MBA studies at Staffordshire University, Great Britain.

KOMENTO

News

English