Aeon

Milot Gusia

Vështrim rreth shfaqjes teatrale “Aeon”

by: Milot Gusia 

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës u realizua shfaqja e baletit me konceptin dhe koreografinë e artistit të mirënjohur Daniel Cardoso jetësuar nga Baleti Kombëtar i Kosovës.

Shfaqja në qendër të saj kishte konceptin e kohës, dhe luftën e vazhdueshme të njeriut për ta ndalur atë.

Koha marshon pamëshirshëm, nuk i bindet dot dëshirave tona dhe vullnetit tonë.
Kjo shprehet fuqishëm tek balerinët, të cilët me anë të lëvizjeve në tempon e akrepave të orës paraqesin marshimin e saj.

Koha megjithëse omniprezente dhe omnipotente mbetet pothuaj e pamundur për t`u përkufizuar si koncept i qartë. E vetmja dëshmi e saj mbetet ndryshimi, sepse ndryshimi mund të ndodhë vetëm përbrenda kohës.

Ndryshimi mund të ndodhë vetëm përbrenda kohës, por edhe koha mund të ndodh vetëm përbrenda ndryshimit. Prandaj, koha mbetet i vetmi emërues i përbashkët i botës dhe ekzistencës së realitetit.

Platoni në dialogun e tij “Timaeus”, kohën e përcakton si imazhin lëvizës të përjetësisë, apo një lumi në rrjedhje të përhershme që reflekton realitetin e përjetshëm të formave.

Për Platonin, koha është shenjë e botës të papërkryer, në të cilën e vetmja dëshirë është për ta poseduar kohën, prandaj ajo shpalos momentin e inferioritetit apo mungesës.
Përjetësia, në anën tjetër është perfekte sepse është e pakufizuar.

Foto: Arben Llapashtica

Aristoteli konsideronte kohën si matësin e ndryshimeve dhe pohonte se ajo ekziston vetëm në raport me lëvizjen dhe ngjarjet që ndodhin.

Ai ngritë pyetje rreth dëshmisë së ekzistencës së kohës, të cilën e gjen vetëm tek lëvizja.

Prandaj, rrëfimi i kësaj shfaqje nis me lëvizjen, e cila zhvillohet në formë të një rrëfimi poetik të balerinëve.

Lëvizjet e balerinëve në formë të valles rrethore të akrepave të pandalshëm dhe të shpejtë të orës, ndërthuren duke treguar rëndësinë e kohës në jetën njerëzore.

Këtu trupi bëhet tregimtari i cili shpreh gëzimin, dhembjen lëngimin dhe pasionin e dashurisë përmes gjuhës së heshtur të baletit. Artistët i shprehin fizikisht emocionet e tyre nën ndriçimin dramatik të skenografisë.

Fuqia e emocioneve përcillet edhe tek mimika e balerinëve, në sytë e tyre dhe pjesët tjera të fytyrës që përcjellin fjalë të pa shprehura duke shprehur njëkohësisht në heshtje emocionet e tyre më të thella.

Foto: Arben Llapashtica

Aristoteli pohonte se e kaluara nuk ekziston më, e ardhmja akoma nuk ekziston, ndërsa e tashmja është momenti i unitetit të qenies dhe mosqenies.

E tashmja, apo loja e balerinëve në skenë para syve tanë dëshmon për kohën tonë të përbashkët të kaluar përplot me emocione të veçanta.

Në të tashmen na sjell edhe muzika në skenë, performuar shkëlqyeshëm nga balerini e muzikanti Sinan Kajtazi, në klarinetë dhe Muhamet Bikliqi, në darabukë.

Muzika me motive të folklorit polifonik të jugut i jepte shfaqjes një dimension të veçantë, duke i bërë balerinët papritmas shumë më të afërt me audiencën.

Muzika me ritmin e saj diktoi vallëzimin përcaktoi tempon dhe rreshtoi hapat e balerinëve, format e të cilëve duke u mbështetur në raportin muzikorë me melodinë polifonike krijuan një performancë të veçantë.

Përmes vallëzimit dhe lëvizjeve delikate balerinët arritën të shprehnin lirinë e dashurisë dhe të lidheshin me audiencën pa fjalë.

Balerinët në formë poetike dhe pa fjalë përmes lëvizjeve trupore përveçse shprehnin dukurinë e kohës ata dhe njëkohësisht tregonin fuqinë e dashurisë për ta ndalur atë dhe për ta bërë të pakufishme.

Foto: Arben Llapashtica

Niçe pohonte se nëse koha është e pakufishme, atëherë çdo moment do të përsëritej pakufishëm. Ai e konsideronte kohën si një disk të rrafshët, prandaj çdo gjë që kemi bërë apo do të bëjmë, do të bëjmë përherë në një qark të përhershëm.

Në anën tjetër, Sartri theksonte lirinë njerëzore brenda kufijve kohorë. Me thënien e tij të mirënjohur “Ekzistenca i paraprinë esencës”, theksonte krijimin aktiv individual të kuptimit brenda ekzistencës së përkohshme.

Prandaj, Kardoso na bën të mendojmë si ta shfrytëzojmë kohën brenda kufijve tanë njerëzorë, dhe si ta ndalim kohën me anë të fuqisë së dashurisë.

Por, a mund të ndalet koha?
Teoria e Relativitetit thotë se po. Së pari, koha nuk ekziston e izoluar por formon tërësinë së bashku me hapësirën.

Së dyti, koha sikur dhe çdo element fizik është relative. Prandaj, nëse një objekt lëvizë me shpejtësi, ora brenda tij do të eci më ngadalë se ora e një objekt që qëndron statik.
Në këtë rast, shpejtësia e lëvizjeve ndërlidhet me dashurinë.

Prandaj, pasi që koha është relative, lumturia, mërzia, ngritjet dhe rëniet në jetë, por mbi të gjitha fuqia e dashurisë mund ta bëjë kohën të ndalet.
Prandaj, kur dy balerinët tanë të dashuruar në lëvizje të shpejtë shkojnë në Gjithësi dhe kalojnë disa vite atje, kur të kthehen në tokë do të kuptojnë se këtu kanë kaluar dhjeta vite më shumë.

Prandaj, shfaqja si idenë kryesore ka dashurinë si një fuqi për të përmbysur madje edhe vet kohën e cila shpërfaqet përmes roleve kryesore të Seadit (Sead Vuniqit) dhe Aulonës (Aulonë Nuhiut), apo burrit dhe gruas.

Koha, përveçse është e lidhur me hapësirën është e lidhur edhe me materien, sidomos forcën gravitacionale e cila është në gjendje të ngadalësojë kohën, apo madje edhe ta ndalë atë plotësisht. 

Kjo është e theksuar tek objektet kozmike apo yjet masive që kanë arritur fazën kulmuese të evolucionit dhe janë shndërruar në “Vrima të Zeza”. Forca tërheqëse në mes të dy balerinëve, tregon fuqinë për ta ngadalësuar kohën me anë të materies së dashurisë.

Shfaqja e baletit me titull “Aeon” bart një koncept filozofik të kohës dhe ndikimit të saj në jetën njerëzore. Aeoni, forca vitale, jeta, apo epoka e përjetësisë. 

Aeoni, rrahja e zemrës së Universit që shtrihet përtej kuptimit njerëzorë të kohës. Aeoni, aty ku koha shkrihet në pluhurin e Universit.
Një periudhë kohore që tejkalon përvojat njerëzore, ku sekondat shkrihen në mileniume duke bartur me vete ekzistencën e gjithësisë.

Autori përmes shfaqjes na tërheq vëmendjen e kohës njerëzore dhe raportit të saj me kohën Universale. Sa e shkurtër është koha njerëzore që të humbet në gjëra të kota, si beteja, grindje e vuajtje.

Ai na bën të shikojmë kohën jo në formë kronologjike, por si klepsidër ku koha tretet në pluhurin e ëndrrave tona.

Fuqia e plotë e kësaj shfaqje arrihet përmes komunikimit të fuqishëm të balerinëve, të cilët mbështesin shkëlqyeshëm njëri tjetrin dhe ndërveprojnë në formë të veçantë duke e jetësuar mrekullueshëm konceptin ideor të Koreografit.

Kjo shfaqje, përkundër vështirësive të shprehura tek cilësia e ulët e zërimit dhe madhësia e vogël e skenës aktuale, nëse do të debutojë sipas planeve në skena me kushte më të mira, si në Portugali dhe në Festivalin Botëror të Vallëzimit në Korenë e Jugut, do të arrijë të shpërfaqë shkëlqimin e saj të plotë artistik.

About the author

Milot Gusia works as a professor and editor, as well as a critic in the local and international art scene. He has worked on a number of programs in the field of art and culture.

He completed his master's studies in Graphic Design at the University of Pristina, as well as his MBA studies at Staffordshire University, Great Britain.

KOMENTO

News

Milot Gusia

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës. Ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin e Staffordhire-it Britani e Madhe.

English