Tregoma Rrëfimin Tënd

Milot Gusia

Vështrim rreth ndërhyrjes artistike "Tell Me Your Story" nga Chiharu Shiota

by: Milot Gusia 

Hamami i Madh. Foto Arben Llapashtica

Dikur, në qytetin e lashtë plot gjallëri të Prishtinës, qëndronte i hapur hamami i çifteve me muret e tij të gurta që kumbonin me historinë dhe pëshpërimat e tregimeve të shumta njerëzore.

Në hapësirat e tij të avullta gjenin prehën çifte të shumta të cilët derisa bënin masazhin, pastronin trupin si dhe shpirtin nga brengat e tyre ditore, shikonin shatërvanët e mermertë me ujin e tyre të kulluar.

Aromat e eukaliptit dhe rozmarinës mbushnin hapësirat, dhe nga vrimat e kupolave depërtonin rrezet e diellit, të cilat përthyheshin nëpër dyshemetë e gurta e të ngrohta duke krijuar njolla të çuditshme kaustike.

Sa njerëz të rëndësishëm kishin qëndruar të shtrirë mbi pllakat e mermerit nëpër avullin e ngrohtë të këtij Hamami? Kalimtarë e zonja të bukura, duke relaksuar trupat e tyre të lodhur nga udhët e largëta dhe duke shkrirë brengat e tyre ditore.

Sa dashuri janë nisur dhe përfunduar nën dritën e hënës që ka përshkuar kupolat dhe avullin e këtij Hamami?

Në këtë vend mistik në një kënd të harruar të kryeqytetit, përmes fijeve të dritëhijes apo lojës delikate të prezencës dhe absencës dikur ishin ndërthurur fatet e shumta njerëzore.

Prandaj, artistja e mirënjohur japoneze Chiharu Shiota e përzgjodhi këtë objekt për të realizuar ndërhyrjen e saj artistike me titull “Tell me your Story”, apo Tregoma rrëfimin tënd.

Chiharu Shiota - Tell me your Story, 2022, Instalacion: litar, letër, çelik, Foto: Milot Gusia

Edhe sot në mungesë të njerëzve, kjo ndërtesë për Chiharu Shiotan paraqet “një lidhje në të cilën akoma ndihet dhe ekziston diçka”. Në objektin e Hamamit, artistja përmes veprës eksploron fijet që lidhin qeniet nëpër hapësirë dhe kohë.

Shiota arrin të evidentojë prezencën e jomateriales, si shpirtit dhe kujtimeve duke ndërthurur fijet e perit të kuq përgjatë gjithë hapësirës së ndërtesës.
Fijet e kuqe asociojnë me gjakun, truporen dhe marrëdhëniet njerëzore.

Artistja në fijet e perit të kuq ka vendosur shënimet ku përfshihen rrëfimet e fëmijërisë, besimit, dashurisë dhe vdekjes të shkruara nga njerëz të ndryshëm në Kosovë, duke ndërthurur kështu të tashmen apo të prekshmen, me të kaluarën apo të paprekshmen, duke siguruar kështu që tregimet njerëzore të vazhdojnë të banojnë këtë ndërtesë unike të trashëgimisë tonë kulturore.

Shiota përmes veprës së saj tenton t`i drejtohet mendjeve dhe shpirtrave të gjeneratave të ndryshme. Ajo arrin të ndërthurë prezencën me absencën përmes evokimit të kujtesës dhe të kaluarës dhe ndërthurjes së saj me të tashmen apo objektin fizik.

Kështu, Shiota i bën thirrje shikuesit të bëhet pjesë e përvojës duke u zhytur në instalacionin tredimensional. Këtu artistja përmes teknikës së saj arrin të ndërthurë me sukses fiziken me arkitekturën dhe simbolikën.

Instalacioni i Shiotas në rend të parë shpreh të paprekshmen, apo ëndrrat, kujtimet dhe përjetimet, duke vënë në pikëpyetje natyrën e ekzistencës fizike njerëzore.

Chiharu Shiota - Tell me your Story, 2022, Instalacion: litar, letër, çelik, Foto: Milot Gusia

Sipas Jean Starobinskit “e fshehura është faqja tjetër e prezencës, sikur joshja dhe fascinimi të cilat janë forca që më vonë sjellin tek pasioni, apo të ushqyerit me të fshehurën”.

Shiota me krijimtarinë e saj ndërlidhet me trashëgiminë e artistëve të shumtë avantgardë që kanë tentuar të prezantojnë fuqitë e padukshme.

Gjurmët e këtij kërkimi mund ti gjejmë qysh në Shekullin e Njëzetë, kur ngjarja shkencore e zbërthimit të atomit, ndryshoi fuqishëm bindjet e artistëve të parë modern ndaj botës vizibile dhe substancës së saj. Njohuritë tradicionale ishin shkatërruar para syve të tyre, dhe tani atë që shihnin sytë papritmas ishin iluzione që ishin bashkuar përmes lojës së rastit.

Si rezultat i këtyre zbulimeve të reja shkencore të Shekullit të Njëzetë, qëndrimet tradicionale ndaj Universit kishin pësuar ndryshime radikale dhe nën sipërfaqen e botës vizibile kishin zbuluar një botë të re të mistershme e të padukshme.

Kandinski përshkroi këtë moment se ishte ndjerë sikur muret më të plota papritmas kishin rënë dhe guri ishte shkrirë në mes të hapësirës – papritmas çdogjë ishte bërë e tejdukshme (W. Kandinsky, Music as A Means of Spiritual Expression).

Kur njohuritë e fituara përmes observimit direkt dhe të detajuar të botës së jashtme nuk mund të ofronin më të vërtetën e plotë të realitetit, artistët modern nisën të vënë në pikëpyetje shfaqjen fizike të substancave duke penetruar në realitetin e të panjohurës.

Mosbesimi ndaj njohurive të mëparme konvencionale i shtyri ata të kërkojnë vlera të reja dhe kuptime të reja për jetën.

Ishte Vasilij Kandinski i cili duke besuar se çdo gjeneratë duhet të prodhojë një art unik dhe të veçantë solli tek kërkimi i një gjuhe të re dhe një forme të re arti.
I fascinuar ndaj fushës së panjohur të Kozmosit dhe botës së padukshme të atomeve, Kandinski nisi të prodhojë vepra të cilat më nuk ishin imitime të sipërfaqeve të jashtme të realitetit objektiv.

Përfshirja e muzikës në veprat e Kandinskit dhe kërkimi i rëndësisë shpirtërore të artit shkuan krah për krahu. Përmes përdorimit të vijës, ngjyrës dhe formës, Kandinski kishte tentuar të përshkruaj vizualisht elementet e padukshme si zërin, ritmin dhe emocionet që ato shkaktonin.

Kandinski ishte i bindur se ai mund të reflektonte vizualisht “vibracionet e shpirtit” ashtu si muzicientët mund të krijonin kompozicione bazuar në vibracionet e zërit (W. Kandinsky, Music as A Means of Spiritual Expression.).

Më vonë Futuristët dëshiruan të vizualizojnë dukurinë e lëvizjes, shpejtësisë dhe ndryshimit, prandaj ata përdorën teknikat e kubizmit të planeve të fragmentuara dhe sipërfaqeve të ndërthurura për të paraqitur objektin simultanisht nga disa këndvështrime të ndryshme. Futuristët për të materializuar lëvizjen si dukuri, në veprat e tyre përfshinë repeticionin ritmik hapësinor të një objekti gjatë tranzicionit (Britannica, Futurism – The arts).

Hilma Klint ishte e preokupuar me shpërfaqjen e mistikes dhe ezoterisë. Ajo kaloi në artin abstrakt për të shpërfaqur forcat e padukshme kozmike. E ndikuar nga spiritualizmi dhe teozofia, ajo tentoi të paraqesë realitetet e padukshme rreth nesh. Përmes vizatimeve dhe pikturave automatike ajo kanalizoi mesazhet nga qeniet e botëve tjera, me qëllim të ndërtimit të një plani astral dhe prezantimit të aspekteve të pavdekshme njerëzore.

Shiota në hulumtimin e raportit në mes të hapësirës dhe forcave të padukshme që na rrethojnë na kujton edhe Takis-in (artistin Grek Panagiotis Vassilakis), i cili me skulpturat e tij, veçanërisht ato të viteve 1950, eksploroi energjitë magnetike, gravitacionale dhe kozmike duke e materializuar kështu të padukshmen dhe duke na bërë të vetëdijshëm për forcat që formësojnë ekzistencën tonë (Tate, Takis, 2024).

Chiharu Shiota - EVERYONE, A UNIVERSE, 2024. Fondacioni Antoni Tàpies, Barcelonë, Spanjë. Foto: Pep Herrero

Ndërsa, Shiota, duke u ndërlidhur me filozofinë e Kandinskit përmes ndërthurjes së fijeve të perit me objektet fizike në hapësirë arrin të materializojë forcat e padukshme të vibracioneve të shpirtit.

Ajo arrin të materializojë lëvizjen e forcave të fshehura përmes ndërthurjes së imagjinares me elementet e botës fizike. Shiota na kujton se arti tejkalon të prekshmen, duke na ftuar të reflektojmë për atë që shtrihet përtej shqisave tona imediate vizuale.

References:

  1. Manifesta 14: Ndërhyrje artistike – Chiharu Shiota. Linku: https://manifesta14.org/sq/event/nderhyrje-artistike-chiharu-shiota-2/
  2. Wassily Kandinsky: Music as A Means of Spiritual Expression, linku: https://www.eliteediting.com.au/wp-content/uploads/2018/08/masters-20-hum-20-original.pdf
  3. Britannica: Futurism – the arts. Linku: https://www.britannica.com/art/Futurism
  4. Tate: “Introducing Takis”. Linku: https://www.tate.org.uk/art/artists/takis-2019/introducing-takis

About the author

Milot Gusia works as a professor and editor, as well as a critic in the local and international art scene. He has worked on a number of programs in the field of art and culture.

He completed his master's studies in Graphic Design at the University of Pristina, as well as his MBA studies at Staffordshire University, Great Britain.

KOMENTO

News

Milot Gusia

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës. Ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin e Staffordhire-it Britani e Madhe.

English