Kritikë: Kur të rritem dua të bëhem një Artist

Nga: Milot Gusia

Mbresa nga Video "Kur të rritem dua të bëhem një Artist"

 Milot Gusia 

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, artisti Driant Zeneli mbajti ekspozitën personale me titull: “N ‘përpjekje për me u çue”, të bashkë-kuruar nga Alicia Knock, një kuratore në Qendrën Pomidou në Paris dhe Claudia Buizza, poashtu një kuratore e pavarur nga Parisi. 

Ekspozita shpërfaqi një varg veprash të Zenelit nga mediume të ndryshme, si film, performancë dhe multimedia. Ekspozita përmes veprave të shumta shpërfaqi preokupimet e artistit, si: ridefinimin e idesë së dështimit, utopisë dhe ëndërrimit si elemente që hapin alternativa të reja. Zeneli kombinon storiet personale dhe kolektive, politikën, kohërat historike, gjersa shton elemente, si: ironinë, mitin, falsitetin, utopinë, ëndrrat, mashtrimin dhe transformimin.

Filmi me titull: “Kur të rritem dua të bëhem një Artist” i shfaqur në një kthinë të galerisë, i prezantuar si një video me ngjyrë dhe zë, flet për një raport intim në mes babait të artistit dhe djalit të tij. Për njëzetë vite babai i Zenelit punoi si piktor nën regjimin Komunist Shqiptar. Për idealet standarde të kohës, ai mund të konsiderohej një artist i dështuar. Asokohe në Shqipëri, sikur në gjithë bllokun komunist, dominonte stili artistik i realizmit socialist. 

Qëllimi i realizmit socialist ishte të kufizonte kulturën e popullarizuar në fragmente specifike tejet të rregulluara të shprehjeve emocionale që promovonte idealet Komuniste. Partia ishte e rëndësisë kruciale dhe ishte gjithmonë e paraqitur në formë të idealizuar. Konceptet kryesore artistike që ishin zhvilluar për të siguruar lojalitet ndaj partisë ishin: mendimi partiak, ideja apo përmbajtja ideologjike, përmbajtja klasore dhe dukja e vërtetësisë së veprave. Në këtë mjedis, artisti mund të ishte i admiruar, por edhe i frikësuar.

Në realizmin socialist ishte i shprehur një sens dominues i optimizmit, pasi që funksioni i artit ishte të tregonte shoqërinë ideale komuniste. Jo vetëm që e tashmja ishte glorifikuar, por e ardhmja poashtu duhej të paraqitej në mënyrë të njëjtë. Pasi që e tashmja dhe e ardhmja në mënyrë konstante ishin idealizuar, realizmi socialist kishte një sens të optimizmit të dhunshëm. Tragjedia dhe negativiteti nuk ishin të lejuara, përveç nëse ato ishin treguar në kohëra dhe vende tjera. Çdo artisti që devijonte nga këto rregulla strikte mund të pësonte nga sistemi, çdo vepër duhej të ishte e idealizuar dhe e rrejshme. 

Ky sentiment krijoi atë që më vonë do të njihet si “romantizmi revolucionar”. Romantizmi revolucionar glorifikoi punëtorin e thjeshtë, si në fabrikë apo në fermë, duke prezantuar jetën dhe punën e tij si të lavdishme. Qëllimi i tij ishte të tregonte se sa shumë standardi i jetesës ishte përmirësuar falë revolucionit. Arti ishte përdorur si formë e edukimit dhe informimit. Duke ilustruar suksesin e partisë, artistët ishin duke treguar shikuesve të vet se komunizmi është sistemi më i mirë politik. Arti ishte përdorur poashtu për të ilustruar si qytetarët e sistemit komunist duhej të vepronin. Qëllimi final ishte të krijohej atë që Lenini e quante “një qenie plotësisht e re njerëzore”: Njeriu i ri Komunist.

Arti (sidomos posterët dhe muralet) ishin një mënyrë për të injektuar vlerat partiake në një shkallë masive. Stalini i përshkroi artistët e realizmit socialist si “inxhinierët e shpirtit”. Mirëpo, realiteti ishte plotësisht ndryshe. Ashtu si Zeneli, një fëmijë që kishte jetuar në këtë sistem, e përshkroi jetën e tij si të varfër dhe me shumë pak mundësi. Dështimi i diktaturës shkaktoi edhe dështimin e shumë njerëzve që kishin jetuar dhe vepruar në idealet e këtij sistemi të projektuar. 

Ky sens i dështimit është evident edhe tek rasti i babait të artistit, i cili me përfundimin e diktaturës, në vitin 1991, ia dedikoi artin e tij punimit të vizave të falsifikuara për persona që dëshironin të emigronin. Kalimi është në formë ironike i përshkruar nga babai i artistit: Punën e tij të parë – si portretist i liderëve të regjimit – ai e përshkruan si “art politik” ndërsa të dytën – atë të falsifikimin e vizave – si “art social”.

Në filmin “Kur të rritem dua të bëhem një Artist”, artisti kërkon nga babai i tij të kryej një portret të tij në mënyrën e njëjtë si kishte punuar portretet e diktatorit Enver Hoxha. Derisa ne shohim atë duke punuar në portret, fytyra e tij nuk na shfaqet asnjëherë, por ne dëgjojmë narracionin e zërit të tij duke përshkruar tentimet e tij të shumta për tu bërë artist përmes dështimeve nga jeta e tij personale dhe historia e shtetit të tij: nga dekada e parë e komunizmit, përmes dështimit të ideve socialiste dhe ekonomisë së shtetit, deri tek lufta civile e viteve të nëntëdhjeta.

Në fund të filmit, babai falsifikon nënshkrimin e tij në atë të birit: portreti i artistit i vendosur në koekzistencë me të vërtetën dhe gënjeshtrën.

About the author

Milot Gusia works as a professor and editor, as well as a critic in the local and international art scene. He has worked on a number of programs in the field of art and culture.

He completed his master's studies in Graphic Design at the University of Pristina, as well as his MBA studies at Staffordshire University, Great Britain.

KOMENTO

të ndërlidhura

English