Opinion: Petrit Halilaj
Nga: Milot Gusia
Mbresa nga ekspozita e Petrit Halilaj rreth Traumës dhe Shpresës në Shën Ives
Veprat e Petrit Halilajt hulumtojnë identitetin kulturorë, kombësinë dhe trashëgiminë, si dhe idetë e kujtimeve kolektive dhe individuale. Halilaj jeton dhe vepron në mes të Gjermanisë, Kosovës dhe Italisë. Veprimtaria e tij përfshin skulpturën, videon, vizatimin dhe instalacionin, si dhe punën me materiale dhe tekstile tradicionale.
Halilaj, është një artist i cili po arrin suksese të njëpasnjëshme në skenën e artit ndërkombëtar. Dëshmi e kësaj është edhe ekspozita e tij e fundit e organizuar në Galerinë prestigjioze Tate, në St Ives të Anglisë. Në këtë Galeri, Halilaj është prezantuar me vepra të reja të krijuara enkas për këtë ekspozitë. Veprat e realizuara në formë të instalacionit shqyrtojnë 38 vizatime fëmijërore të cilat artisti i realizoi derisa ishte në Kukës të Shqipërisë, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-99, kur ai ishte vetëm trembëdhjetë vjeçar. Duke shtresuar imazhe të varura të formatit të madh përgjatë gjithë galerisë, Halilaj krijon një mjedis përfshirës dhe zhytës i cili shpalos vizatimet e tij, të cilat e kanë shoqëruar atë gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Lufta dhe konflikti i armatosur zhvendosin familje të panumërta çdo vit. Më shumë se gjysma e 19 milion refugjatëve në botë, janë fëmijë (UNHCR, 2007). Disa fëmijë rriten në kampe refugjatësh. Shumicës së fëmijëve për një kohë të gjatë sa qëndrojnë në kampe i mungon shkollimi formal.
Traumat e fëmijëve janë vështirë të zbulohen, sepse ata nuk janë në gjendje të komunikojnë verbalisht ndjenjat e tyre. Vizatimet janë përdorur për shumë vite, për tu ndihmuar fëmijëve që të hapen apo si formë e shpërfaqjes së traumave fëmijërore të luftës.
Sipas psikologëve të luftës, kur fëmijëve i kërkohet të vizatojnë me ngjyra ata nuk munden sepse bota e tyre është “aq e tmerrshme” prandaj “e zeza është e vetmja ngjyrë që mund të përdorin”.
Vizatimet e fëmijëve të luftës për herë të parë thirrën për vëmendjen e kritikëve ndaj vlerave të posaçme estetike të tyre në rastin e Luftës Civile Spanjolle (1936-1939). Asociacioni Spanjoll i Luftës në Nju Jork përmblodhi rreth nëntëqind vepra të tilla artistike dhe publikoi librin: “Ata akoma vizatojnë” (They Still Draw Pictures- Spanish Welfare Association, 1939). Aldous Huxley shkroi parathënien e këtij botimi duke pohuar: ”Ky është një koleksion i vizatimeve të fëmijëve; ai është njëkohësisht një koleksion i vizatimeve të bëra nga djelmoshat dhe vajzat e vogla të cilët kanë përjetuar një luftë moderne.”
Traumat vazhdojnë të përjetohen nga fëmijët në gjithë botën. Traumat që fëmijët Sirian kanë përjetuar nga fillimi i luftës më 2011 janë të ngjashme me traumat e fëmijëve në Kosovë në luftën e vitit 1999. Fëmijët Sirianë zakonisht e kanë të vështirë të flasin për përjetimet e tyre. Kjo është përse metodat alternative të shërimit, si terapia me anë të artit, janë të përdorura në gjithë botën për ti ndihmuar fëmijëve në rrugën e tyre të shërimit mental.
Në një ekspozitë me titull “Drita kundrejt Errësirës” (Light Against Darkness) të mbajtur në një pjesë të qytetit të Beirutit, dyzetetre fëmijë krijuan rreth 166 vepra në formë vizatimesh dhe skulpturash nga argjila. Disa vepra ishin realizuar në ngjyra intensive me tone të një lumturie artificiale. Të tjerat nuk ishin aq argëtuese. Suha Wanos, një vajzë e re nga Latakia, vizatoi një vajzë duke mbajtur dorën e nënës së saj derisa një revole është e drejtuar në kokën e saj. Në prapavijë të punimit, është duke rënë shi dhe helikopterët janë duke shtënë zjarr mbi shtëpitë derisa fëmijët e vegjël qëndrojnë të shtrirë mbi barë të përgjakur, të paraqitur si të vdekur. Suha, për të shkuar në shkollën e saj, në baza ditore kishte kaluar një punkt ushtarak në Siri. Ajo kishte zakon ti përshëndeste ushtarët në gjuhën Arabe me thënien “Paqja qoftë mbi ju”. ( Adam Rasmi)
Edhe kampi i refugjatëve palestinez në Beirut është gjithnjë e më shumë duke u bërë strehë për Sirianët të ikur nga lufta. Për fëmijë, shprehja e zërit në letër nuk është një gjë e lehtë. Duke qëndruar së bashku në qendër, fëmijët tregojnë një varg skicash që ishin pikturuar përmbi me të zezë nga zemërimi. “Në fillim, ata ishin shumë të stresuar. Fëmijët kishin shumë dhembje të përjetuara në Siri, dhe nuk besonin se do të mund të shihnin ndonjëherë me ngjyra,” pohonte zyrtari i kampit në Beirut (Adam Rasmi, “How Syrian Children Are Drawing…”).
Në anën tjetër, në një libër me titull “ Déflagrations, dessins d’enfants, guerre d’adultes”, i botuar nga Anamosa, janë ilustruar trupa të pajetë të pikturuar me të hirtë, turma të njerëzve nën zjarr, kolona të refugjatëve, bombardime, frikë dhe zemërim. 150 vizatimet e bëra bashkë nga Zérane Girardeau tregojnë për luftën në sytë e fëmijëve. Libri riprodhon një shekull të vizatimeve të dëshmitarëve të vegjël që nga Lufta e Parë Botërore deri tek konflikti në Siri. “Këto vizatime na mundësojnë të vendosim veten për një moment jashtë lumit të imazheve indiferente rreth nesh,” shkruan koordinatorja e projektit Zérane Girardeau. “është si një antidot ndaj indiferencës së shprehisë, e cila transformon tmerret në një zhurmë të fuqishme vizuale. Ato na ndihmojnë për të mbajtur sytë qelë, për të mos harruar, për të qenë vazhdimisht të vetëdijshëm dhe të mos topisim emocionin njerëzorë.”(Stéphanie Maupas, korrespondent nga Haga)
Me ndihmën që u ofrohet, fëmijët eventualisht arrijnë të pikturojnë me ngjyra vizatimet e tyre për të përcjellë me anë të brushës kujtesat e tyre të vizioneve zemërthyera të shpresës.
“Përgjatë dekadave, fëmijët kanë shprehur traumat e dhunës në forma shumë të ngjashme,” pohon Sarah Smith, drejtoreshë e edukimit në organizatën humanitare IRC.
Petrit Halilaj si një fëmijë i luftës, poashtu kishte kaluar një periudhë në një kamp, dhe pasi nuk kishte mundësi për të vijuar një edukim formal, ai kishte dëgjuar se ekzistonte një program për fëmijë të zhvilluar nga psikologu italian Giacomo ‘Angelo’ Poli. Zotëri Giacomo kishte ardhur përmes një organizate humanitare për ti ndihmuar fëmijët refugjatë. Artisti pohon se kjo ishte njëra nga dhuratat më të mira që kishte fituar në jetë. Punëtoritë e zhvilluara në kamp ishin terapeutike, një frymëmarrje nga vështirësitë e jetesës në kamp. “Ne vizatonim rreth luftës, dhe ishte hera e parë që një i rritur na jepte hapësirën për të thënë diçka rreth përvojave tona” thotë Halilaj. “Kjo nuk ishte vetëm një nevojë personale e shprehjes. Ne ishim duke u përpjekur të shprehnim ngjarjet që lamë pas, dhe asaj çfarë kishim parë, dhe kohërave jashtëzakonisht të vështira nëpër të cilat po kalonte Kosova” thotë Petrit Halilaj.
Këto vepra të reja të rëndësishme të Petritit janë ndoshta njëra nga reflektimet më personale mbi traumat e luftës në Kosovë, të formësuara përmes perspektivës së kohës të cilat poashtu sjellin në dritë traumat e fëmijëve në gjithë botën. “Ato tërheqin mbi përvojat e tij me luftën, por poashtu veprojnë si pika referente për kujtesën dhe përvojën e të tjerëve, dhe kështu hapin diskurse të rëndësishme për të gjithë rreth perspektivave unike që arti mund të sjellë për çështjet si konflikti, zhvendosja dhe shtypja”(Anne Barlow, kuratore e ekspozitës)
Petrit Halilaj përmes shpalosjes së vizatimeve të luftës, përveç që tregon përjetimet e tij të luftës ai poashtu shpërfaq një pjesë të së kaluarës kolektive të shumë fëmijëve shqiptar. Ai shpesh eksploron karakteristikat që përcaktojnë identitetin tonë personal dhe kolektiv apo social. Halilaj dhe artistë tjerë të gjeneratave të reja po konstruktojnë sensin se kush ne jemi si individë, si shoqëri, dhe si komb. Ata po shqyrtojnë stereotipat dhe konventat derisa eksplorojnë atribute të ndryshme si gjininë, seksualitetin, kombësinë dhe trashëgiminë. Kultura jonë është e krijuar nga forma të ndryshme të përpjekjeve artistike dhe sociale si kolektive ashtu dhe individuale.
Tanimë e kaluara jonë e hidhur, është pjesë e identitetit tonë kombëtar, trashëgimisë tonë kolektive e cila ndërton kulturën tonë. Petrit Halilaj gjithmonë i kthehet trashëgimisë tonë të afërt apo të largët përmes së cilës ndihmon në procesin e krijimit të identitetit tonë të sotëm.
Halilaj përdorë trashëgiminë tonë për të konstruktuar, rekonstruktuar dhe negociuar një varg identitetesh si dhe vlerash sociale dhe kulturore të së tashmes. Më e rëndësishmja, përmes këtyre proceseve të rekonstruktimit artistik të identiteteve tona ndërtohen procese sociopolitike që reflektojnë botërisht për nivelin kulturorë të shoqërisë tonë.
Dhe normalisht, në këtë aspekt siç kishte pohuar Claire Stasiewicz: “Arti është mediumi më i fuqishëm që shpëton kulturën përmes përcjelljes së kujtesës individuale dhe kolektive në formë unike dhe personale”. Trashëgimia jonë kulturore është e shprehur përmes objekteve materiale që mund të preken dhe shikohen nga e kaluara jonë jo shumë e largët. Por, ajo përbëhet edhe nga elementet shpirtërore si historitë orale të transmetuara nga njëra gjeneratë në tjetrën. Petrit Halilaj ka vendosur ti përdori vizatimet personale, tani pjesë të trashëgimisë kulturore materiale të luftës, për të shpalosur tregimin e tij individual shpirtërorë të një fragmenti të rëndësishëm të së kaluarës tonë të errët.
About the author
Milot Gusia works as a professor and editor, as well as a critic in the local and international art scene. He has worked on a number of programs in the field of art and culture.
He completed his master's studies in Graphic Design at the University of Pristina, as well as his MBA studies at Staffordshire University, Great Britain.