Ekspozitë: Zharko Basheski

Nga: Milot Gusia

Mbresa nga ekspozita “Reflection” në Galerinë Kombëtare

Milot Gusia

Fokusi i krijimtarisë skulpturore të artistit Basheski është i kthyer drejt njeriut, prandaj theksohet interesimi i tij në qasjen hiperrealiste të formësimit konceptual të veprave, të cilat në projektimet teorike tejkalojnë hiperrealizmin, dhe flasin rreth jetës dhe botës në të cilën jetojmë.

Debatet rreth proporcioneve që definojnë një fizikë të përkryer të trupit njerëzorë janë zhvilluar për shekuj me radhë. Qysh nga Greqia Antike dhe Egjipti, në epokën e lindjes së miteve dhe legjendave, artistët kanë krijuar ideale të pamundshme të bukurisë trupore. Dhe me ndryshimin e kulturës njerëzore ndër kohë, ashtu kanë ndryshuar edhe idealet fizike të njerëzimit.

Teknologjia, epoka digjitale dhe e mediave sociale mund të kenë përshpejtuar ndryshimin, por nuk kanë ndryshuar substancën e pyetjes: çka është një trup i bukur?

Grekët e lashtë çmuan një perfeksion të definuar atletik dhe të lakuriqësuar por poashtu e dinin se kjo nuk ekzistonte në botën reale. Prandaj, artistët shkrinë vetitë që i konsideronin ideale nga trupat e ndryshëm – shpesh duke gërshetuar meshkuj dhe femra – në një formë për të krijuar një mostër “të përkryer” të trupit njerëzorë. Këto mostra të përkryera i gjejmë tek muzetë e shumta ku ekspozohen veprat antike dhe klasike skulpturale. Grekët antik zbuluan nocionin e trupit ideal, duke përdorur figurën njerëzore si një objekt të kënaqësisë shqisore dhe duke definuar pamjen fizike si reflektim të inteligjencës mendore.

Grekët antik kishin një qëndrim se perfeksioni nuk ekziston në natyrë. Perfeksioni është ajo që arti i jep natyrës. Ideja e trupit të perfeksionuar ishte tek “dizajnimi” apo modifikimi i tij. Për të krijuar këtë trup të perfeksionuar, skulptura greke nuk inspirohej nga një model i vetëm, por nga disa modele të ndryshme; dora ideale e marrë nga një model, koka ideale nga modeli tjetër, dhe jo vetëm nga trupat e një gjinie, por nga gërshetimi i gjinisë mashkullore dhe femërore. Komplimenti më i madh që mund ti jepej një djaloshi të ri të kohës antike ishte ti thuhej se i ngjante një skulpture (Michelle Pountney – The ideal human form as manufactured in ancient times…).

Dhe kjo qasje ndaj trupit njerëzor në antikitet nuk është shumë larg nga idealet e shumta të bukurisë bashkëkohore të kulturës së sotme, ku njeriu ideal i reklamimit është një figurë “e dizajnuar” e prekur përmes ndërhyrjeve të shumta kirurgjike dhe kozmetikës plastike. Idealet tradicionale të cilave ju ka nënshtruar kultura njerëzore nga antikiteti deri në kohërat bashkëkohore kanë formësuar mënyrën si njeriu shikon trupin e tij sot (Michelle Pountney – The ideal human form as manufactured in ancient times…).

Bodibildingu u ishte sjellë publikut të gjerë në vëmendje përmes Schwarzeneggerit dhe filmave si “Pumping Iron”. Ai ofronte një ideal të muskujve të ekzagjeruar që ishte i paarritshëm, pa marrë parasysh sa përpjekje që një individ mund të bënte për të arritur atë në formë natyrale, pa përdorimin e përmirësimeve teknologjike në formë të stereoideve dhe intervenimeve kirurgjike (Daniel Kunitz, How Art Has Depicted the Ideal Male Body throughout History).

Dëshira për të krijuar një prezantim sa më ideal të njeriut është e vjetër sa vet njerëzimi. Në rrugëtimin e historisë kulturore, artistët kanë zhvilluar teknika të ndryshme të prezantimit të trupit njerëzore në një formë sa më të idealizuar që ishte e mundur për kohën. Derisa skulpturat e idealizuara nga shekujt e mëhershëm janë akoma figura simbolike që zakonisht ndërlidhen me religjionin, si dhe temat historike dhe artistike, nga mesi i shekullit të Njëzetë, fokusi i artit ishte zhvendosur drejt individualitetit njerëzorë. Në vitet 1960, me përfshirjen e artit të realitetit të përditshëm, artistët Amerikan si Duane Hanson, John De Andrea dhe George Segal u kthyen edhe një herë drejt paraqitjes realiste të trupit njerëzorë. Përmes përdorimit të teknikave tradicionale të modelimit, kallëpimit dhe pikturimit, ata krijuan skulptura hiperrealiste që ringjallën dhe freskuan përsëri traditën e gjatë të skulpturës realiste, e cila për një kohë të gjatë të modernizmit ishte konsideruar e tejkaluar. Por, figurat hiperrealiste sollën në vëmendje diçka të re: Njeriu i vërtetë nuk ishte aspak i njëjtë me figurën e njeriut të idealizuar klasik. Ky impuls figurativ frymëzoi gjenerata të reja të skulptorëve, të cilët deri më sot kanë vazhduar të përcjellin idiomën pikturale hiper-realiste të këtyre pionierëve në një formë bashkëkohore.

Ekspozita me titull “Reflecion” siguron një njoftim me lëvizjen hiperrealiste dhe fokusohet në zhvillimin e mëtejshëm të këtij zhanri të artit skulptural në shekullin Njëzetenjë. Ekspozita shpërfaq truporen njerëzore dhe jo vetëm që fascinon përmes paraqitjes së realitetit dhe mjeshtërisë precize por tërheq vëmendjen në brishtësinë e vet trupit njerëzorë.

Trupat e modeleve të Basheskit janë njerëz të zakonshëm, shumë larg nga idealet e bukurisë së idealizuar klasike. Ata na përkujtojnë realitetin tonë njerëzorë, të pa zbukuruar me ndërhyrje të jashtme. Njeriu i thjeshtë i Basheskit është me të meta, ai është një njeri i cili është në përpjekje për tu ballafaquar me jetën dhe idealet që i imponohen nga shoqëria. Figurat e Basheskit tregojnë të vërtetën e jetës bashkëkohore, të pa idealizuar nga fusha e reklamimit dhe arti i idealizimit. Ato na dëshmojnë se njeriu i zakonshëm është larg nga ajo që kultura masive tenton të portretizojë. Ai është akoma një kafshë e cila lufton për ekzistencë, i ballafaquar me dramën e përditshme të mbijetesës nga sëmundjet, mbipeshën, depresionin dhe letargjinë. Njeriu i Basheskit i zhveshur lakuriq na kthen tek figurat e Njeriut Primitiv parahistorik, (Venerën e Willendorfit), duke na dëshmuar se ai është akoma larg nga perfeksionimi.

Studimi i veprave të Basheskit na tregon sa ato nuk kanë të bëjnë vetëm me trajtimin e trupit njerëzorë, por poashtu me motivin dhe faktorët psikologjik të përfshirë në paraqitjen e trupit njerëzorë.

Për artistin, paraqitja e figurës njerëzore nuk do të thotë thjesht reproduktimin e një personi. Skulpturat e tij poashtu kaplojnë dhe shprehin këndvështrimin e posaçëm dhe qëndrimin e artistit ndaj subjektit të tij. Në këtë rast arti i tij na bën të ballafaqohemi me njeriun e zakonshëm.

Basheski nuk i largohet plotësisht motiveve historike dhe mitologjike. Në njërën nga veprat e tij, kemi të paraqitur një trup të njeriut të shqyer nga një tjetër njeri. Në këtë skulpturë, Basheski i kthehet një motivi mitologjik të paraqitur shkëlqyeshëm nga artisti spanjoll Francisco Goya, atë të Saturnit i cili shqyen fëmijën e tij. Sipas interpretimit mitologjik, Titani Kronus (në titull i romanizuar si Saturni), i cili, duke u frikësuar se do të përmbysej nga njëri prej fëmijëve të tij, shqeu secilin prej fëmijëve menjëherë pas lindjes. Veprën e tij Goya e realizoi direkt në murin e shtëpisë së tij në mes të vitit 1819 dhe 1823. Vepra ishte transferuar në kanavacë pas vdekjes së autorit dhe që nga atëherë është e mbajtur në Muzeun Del Prado në Madrid.

Çfarë interpretimi i bën këtij motivi Basheski, dhe përse na sjell atë përmes mediumit të skulpturës hiperrealiste? A shpërfaq artisti konfliktin në mes të rinisë dhe pleqërisë? Kohës që gëlltitë çdo gjë, apo na jep një pamje më të qartë të gjendjes së vërtetë njerëzore në kohërat moderne?

Në krijimtarinë e artistit Bashevski janë prezentë disa elemente të cilat janë të reja për botën e skulpturës dhe që e bëjnë krijimtarinë e tij të fundit të veçantë: këndvështrimi bashkëkohor i gjendjes së sotme njerëzore përmes vet observimit, prodhimi teknik dhe përdorimi i materialeve të reja (rrëshirës së poliesterit, poli mermerit, silikonit dhe flokëve natyral), trajtimi hiperrealist i skulpturës, proporcioni i veçantë i punimeve, qasja filozofike ndaj subjektit të studiuar – të gjitha këto, të kombinuara, ofrojnë një lexim shumështresor të veprave të artistit Basheski.

Ekspozita “Reflection” e mbajtur në Galerinë Kombëtare të Kosovës është rezultat i bashkëpunimit me Galerinë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut si pjesë e kalendarit të përbashkët vjetor të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut. Këto bashkëpunime janë jetike për të njoftuar opinionin artdashës të Kosovës me artin Avant Gard dhe me zhvillimet në skenën e artit të sotëm ndërkombëtar.

Autor: Milot Gusia, 2021

Për autorin

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.

Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin e Staffordhire-it Britani e Madhe.

KOMENTO

Rishtaz

Nga: Milot Gusia
Vepra “Volume” e artistit Çibukçiu ngre një dialog të rëndësishëm rreth asaj se si shoqëria e jonë bashkëkohore ndërvepron me sistemet e konsumit dhe monitorimit. Me veprën e tij përveçse thekson ndikimin e këtij simboli në jetën tonë të përditshme, Çibukçiu poashtu na bën të reflektojmë rreth ndikimit më të thellë që konsumerizmi ka në identitetin tonë dhe lirinë tonë personale.

Nga: Milot Gusia
Artistja e mirënjohur japoneze Chiharu Shiota në Hamamin e Madh realizoi ndërhyrjen artistike të saj me titull “Tell me your Story”, apo Tregoma rrëfimin tënd. Edhe sot në mungesë të njerëzve, kjo ndërtesë për Chiharu Shiotan paraqet “një lidhje në të cilën akoma ndihet dhe ekziston diçka”. Në objektin e Hamamit, artistja përmes veprës eksploron fijet që lidhin qeniet nëpër hapësirë dhe kohë.

Nga: Milot Gusia
Vizatimet e nxënësve janë një arkiv shumë i vlefshëm që ndihmon të kuptojmë botën e tyre dhe të zbulojmë vlerat e tyre të brendshme. Prandaj, vepra e Petrit Halilajt pikërisht duke u rrënjosur në historinë e tij personale por edhe të fëmijëve tjerë të sotëm arrin të shpërfaqë ditarin shpirtërorë të fëmijëve të rajonit.

Nga: Milot Gusia
Veprat e Irem Tok (lindur në Stamboll më 1982) përbëjnë një aventurë të ndalur në kohë në të cilën ajo shpalos tregimet e saj individuale. Përmes kësaj forme të kohës së ndalur nga ndikimet e kohërave të historisë njerëzore, artistja tenton të hulumtojë mundësitë e eksplorimit të një historie tjetër, ku njerëzit nuk janë më protagonist apo në qendër të saj.

Albanian