Nga: Milot Gusia
Vepra “Volume” e artistit Çibukçiu ngre një dialog të rëndësishëm rreth asaj se si shoqëria e jonë bashkëkohore ndërvepron me sistemet e konsumit dhe monitorimit. Me veprën e tij përveçse thekson ndikimin e këtij simboli në jetën tonë të përditshme, Çibukçiu poashtu na bën të reflektojmë rreth ndikimit më të thellë që konsumerizmi ka në identitetin tonë dhe lirinë tonë personale.
Ekspozitë: Adem Dërmaku
Nga: Milot Gusia
Nga ekspozita “Nuk është diçka e njëanshme”
Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, u hap ekspozita me titull “Nuk është diçka e njëanshme” nga artisti Adem Dërmaku, kuruar nga Eleni Laperi. Artisti Dërmaku u prezantua me 50 punime në teknika të ndryshme të artit të grafikës.
Titulli “Nuk është diçka e njëanshme” ka të bëjë me marrëdhënien e artistit me shikuesin e tij. Dërmaku dëshiron që veprat e tij asnjëherë të mos mbesin të njëanshme. Artisti dhe audienca e tij varen nga njëri tjetri për të plotësuar rolet e veta, artisti si krijues dhe audienca si pranues. Nganjëherë ata ndërveprojnë si bashkë-krijues. Marcel Duchamp, figura lidere e lëvizjes Dada, pohonte se: “të dy artisti dhe shikuesi janë të domosdoshëm për kompletimin e veprës së artit.” Ai argumentonte se vepra e artit nis me artistin – shpesh duke punuar i izoluar në studion e tij – dhe nuk është e kompletuar derisa është e vendosur jashtë në botë dhe e shikuar nga të tjerët. “Akti i krijimit nuk është i performuar vetëm nga artisti; spektatori sjell veprën në kontakt me botën e jashtme duke deshifruar dhe interpretuar përmbajtjen e vet të brendshme dhe ashtu duke shtuar kontributin e tij në aktin kreativ” (Duchamp).
Megjithëse arti është i krijuar për audiencën, kjo nuk do të thotë se i gjithë arti i krijuar është ekspozuar për audiencën, dhe normalisht edhe arti i paekspozuar mbetet art. Veprat artistike mund të jenë të humbura, shkatërruara, apo nganjëherë të fshehura, por ato përsëri mbeten vepra arti. Madje veprat e shumë artistëve, fillimisht të konsideruara si të pavlera dhe joprofesionale, më vonë kanë fituar miratimin ndërkombëtar dhe janë bërë pjesë e muzeve të shumta bashkëkohore. Ndoshta audienca e kohës nuk kishte konsideruar krijimet e artistit si vepra arti. Nganjëherë koha duhet të kalojë për një audiencë të vlerësojë një vepër të caktuar artistike. Por, duhet pranuar idenë se audienca është ajo që kompleton veprën e artit. Një vepër arti është e krijuar për të komunikuar një ide, ndjenjë, koncept apo përvojë, dhe duhet të ekzistojë një shikues për ta përjetuar atë.
Dërmaku në këtë ekspozitë tenton të përqafoj një art më shumë konceptual dhe të lirë pamor.
Ai poashtu në artin e tij tregon elemente të artit fëmijëror dhe vernakular. Arti fëmijërorë është një term i krijuar nga Franz Cizhek në vitin 1890. Sipas Cizhekut: “Arti i çdo fëmije reflekton nivelin e tij të vetëdijes për veten dhe integrimit të tij në mjedisin e vet”. Vlerësimi estetik i artit fëmijëror si një forme krijimi të pazbutur nga shoqëria ishte lartësuar nga Franz Cizheku, i cili vizatimet e fëmijëve i quajti “Mrekullia e Artit”. Zbulimi i cilësive estetike të shprehjeve të pa shkathëta vizuale të fëmijëve është e ndërlidhur me vet artin modern, dhe shumë drejtime në art, në mes tyre dhe Secesionin Vjenez. Madje, vet Pikaso kishte thënien e tij të mrekullueshme: ”çdo fëmijë është një artist. Problemi është si të mbetemi artist pasi të rritemi”. Arti vernakular dhe fëmijërorë i Dërmakut ngjason me gjuhën e thjeshtë të lirë nga kufizimet e gjuhës dhe dialogut akademik. Ashtu si një dialekt i folur në përditshmëri, arti i tij krijon një klasifikim autodidakt, si një idiomë vizuale e mënjanuar nga ndikimi akademik.
Në veprën “Zogu i Zi” e gjithë sipërfaqja e kompozicionit është e mbushur me një mur, prapa të cilit është i vizatuar një zog me ngjyrë të zezë. Muri është një motiv i përhapur në veprat e Dërmakut. Muret na mbajnë të sigurt por edhe na ndajnë. A duhet ti jemi mirënjohës mureve apo ti frikësohemi?
Muret janë kufizime, por jo të gjithë muret na ndalojnë. Muret e shtëpive janë qëllimisht të kalueshëm. Megjithatë, ato mbesin mure, aty për të formuar një perde dhe barrierë pas të cilës njerëz me bindje të ndryshme mund të qëndrojnë. Muri gjithmonë ka dy anë dhe dy koncepte të ndryshme për njerëzit në secilën anë të tij. Madje edhe muret që përbëjnë shtëpitë tona na krijojnë një ndjenjë të strehimit. Ata që lejojmë të kalojnë murin në hapësirën tonë intime poashtu tregon për një dimension të besimit.
Qyteti i Berlinit ishte i ndarë në dy gjysma me ngritjen e murit në mes të lindjes dhe perëndimit, një barrierë fizike e shoqëruar me gjerësinë e tokës së askujt të njohur si “shiriti i vdekjes”, mbi të cilin kullat vrojtuese dhe ushtarët e armatosur mbanin roje. Nëse ndonjëherë muri do të kishte një rol simbolik si dhe fizik, atëherë do ishte shembulli i Murit të Berlinit. Ai ishte një simbol i perdes së hekurt që i bëri kushtet e jetesës njerëzore aq të kundërta.
Muret i hasim edhe në bisedën e përditshme, dhe konotacionet janë gjithmonë negative. Nëse dikush nuk na dëgjon, ne jemi duke hasur “një mur” metaforik. Ndoshta nganjëherë themi se dikush ka ndërtuar një mur mes nesh. Joseph Fort Newton dikur kishte thënë “Njerëzimi ka ndërtuar shumë mure dhe aq pak ura”. Muret janë gjëra të ngurta, të palëvizshme dhe të fuqishme. Ato mund të na ofrojnë siguri, por poaq shpesh ato janë simbol i ngujimit.
Në veprën “Mbledhja” kemi prezentë një grumbull karrigesh të vendosura në rreth. Shpesh përdorimi i karrigeve të zbrazëta nënkupton përfshirjen e njerëzve në hapësirë – të kaluar apo të tashme, apo, mungesën njerëzore. Karrigia simbolizon mungesën dhe shpresën e kthimit. Ajo nënkupton vetminë apo një vend të qetësisë dhe pushimit. Karriget në këtë hapësirë të papritur sigurojnë një evidencë të prezencës së afërt njerëzore apo evidencën e banuesve të harruar të një hapësire të braktisur. Ajo është poashtu një simbol i fuqisë që nga fronet mbretërore deri tek ulëset e politikanëve. Karrigia mund të bëhet një “mik” në kohëra të vetmisë, dhe miqësia me te në kuptimin metaforik është e vështirë të harrohet.
Karriget kanë personalitet. Van Gogu kishte pikturuar karrigen e verdhë me llullë në te si një autoportret. Ajo është e përulur dhe e thjeshtë krahasuar me pikturën e karriges arrogante, te dekoruar dhe autoritative së Goginit. Tek Dërmaku, poashtu një karrige është më e veçantë se të tjerat: Ajo është e kthyer me shpinë. Dërmaku në veprën “Mbledhja” ka përzgjedhur karriget për të treguar lojën politike për pushtet, ndërsa karrigia e kthyer nënkupton një lojë mashtruese dhe jo të drejtë.
Tek vizatimet e Dërmakut na paraqiten dhe duart, si elemente që shpërfaqin vlerat kulturore të shoqërisë sonë dhe kanë një kuptim personal për artistin. Duart njerëzore kanë qenë në qendër të historisë së artit pamor jo vetëm si mjete kryesore të krijimit, por poashtu si një fokus i rëndësishëm i prezantimit, zbulimit dhe zhvillimit të shkathtësive artistike dhe trendëve kulturore në periudha të ndryshme kohore.
Në të vërtetë, duart e pikturuara mund të jenë forma më e vjetër e artit e njohur në historinë njerëzore.
Artet më të mrekullueshme në shpella parahistorike, si ato të gjetura në Argjentinë, në “Cueva de las Manos”, kanë kuptimin “Shpellat e duarve”. Sipas Qendrës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s, këto piktura janë të krijuara qysh para 13,000 vjetësh.
Gjatë periudhës së Renesansës, duart ishin poashtu në fokus të rëndësisë dhe vëmendjes poaq sa dhe fytyrat, sepse ato ishin e vetmja pjesë e dukshme e trupit. Prandaj, prezantimi i pozitës së duarve u bë një element artistik që ishte poaq i rëndësishëm sa dhe fytyra. Kështu, duke marrë parasysh dukjen e tyre të theksuar, gjestet e duarve në portrete dhe piktura ishin njëri nga mënyrat më efektive të përcjelljes së sekreteve, kodeve dhe mesazheve. Nga këndvështrimi historik dhe religjioz, shenjat e duarve në artet pamore siguronin të dhëna rreth simboleve latente ikonografike.
Tek Dërmaku, duart poashtu kanë simbolet e veta dhe sjellin ndërmend fëmijërinë e artistit dhe rrethin e tij familjar, ku të vjetrit ne mbledhi të ndryshme tregonin storie dhe fjalë të urta të cilat i shoqëronin me plot gjeste, por gjithashtu nganjëherë nuk mund të fshihnin frikën e tyre dhe nervozizmin.
Ndër veprat e shumta, shquhen edhe disa punime abstrakte, të cilave Dërmaku i kthehet akoma kohëpaskohe si një pasioni të vjetër të tij. Dërmaku vazhdon të eksperimentojë, dhe natyrisht abstrakcioni është gjithmonë një medium tërheqës për eksperimentime. Por, edhe në veprat abstrakte artisti nuk mund ti shmanget shprehjes së nënvetëdijshme të gjendjes shpirtërore të tij.
Shtator, 2021
Për autorin
Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.
Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.
KOMENTO
Rishtaz
Nga: Milot Gusia
Artistja e mirënjohur japoneze Chiharu Shiota në Hamamin e Madh realizoi ndërhyrjen artistike të saj me titull “Tell me your Story”, apo Tregoma rrëfimin tënd. Edhe sot në mungesë të njerëzve, kjo ndërtesë për Chiharu Shiotan paraqet “një lidhje në të cilën akoma ndihet dhe ekziston diçka”. Në objektin e Hamamit, artistja përmes veprës eksploron fijet që lidhin qeniet nëpër hapësirë dhe kohë.
Nga: Milot Gusia
Vizatimet e nxënësve janë një arkiv shumë i vlefshëm që ndihmon të kuptojmë botën e tyre dhe të zbulojmë vlerat e tyre të brendshme. Prandaj, vepra e Petrit Halilajt pikërisht duke u rrënjosur në historinë e tij personale por edhe të fëmijëve tjerë të sotëm arrin të shpërfaqë ditarin shpirtërorë të fëmijëve të rajonit.
Nga: Milot Gusia
Veprat e Irem Tok (lindur në Stamboll më 1982) përbëjnë një aventurë të ndalur në kohë në të cilën ajo shpalos tregimet e saj individuale. Përmes kësaj forme të kohës së ndalur nga ndikimet e kohërave të historisë njerëzore, artistja tenton të hulumtojë mundësitë e eksplorimit të një historie tjetër, ku njerëzit nuk janë më protagonist apo në qendër të saj.