Lulja e Parë

Milot Gusia

Vështrim rreth veprës "First Flower" nga artisti Astrit Ismaili

nga: Milot Gusia 

Një nga bazat e manifestos së artistit Astrit Ismaili është kritika e vazhdimit të funksionimit dikotomik dhe binar të shoqërisë bashkëkohore, e cila vazhdon të refuzojë kompleksitetin e njeriut modern dhe natyrën e tij e cila është në një tranzicion konstant. Duke reflektuar të gjitha këto gjendje të transformimit të brezit të ri apo trupave të reja dhe mundësive të tyre për tu ndryshuar dhe zgjeruar apo evoluar, për të vërtetuar këtë artisti Ismaili kthehet tek botanika, historia dhe shkenca.

Artisti Ismaili dhe brezi i tij, për të gjetur strehë, gjithnjë e më shumë kërkojnë të shpjegojnë dhe kuptojnë identitetin e tyre. Prandaj, ata mbështeten tek bimët dhe krijesat tjera të evoluara për të akomoduar ndryshimet e tyre. Kështu, ata sikur bimët lulëzuese evoluojnë për të tejkaluar kufizimet e tyre natyrale, të cilat po i bëjnë proceset e tyre të reproduktimit jo efikase dhe të ngadalshme. Transformimi i bimëve në lulet e para, është dhe baza e krijimtarisë së artistit të cilën ai e pagëzoi “Krijimi përmes Kufizimit”.

Në artin e tij utopik, artisti Ismaili dëshiron të krijojë një shoqëri heteronormative, në të cilën në formë metaforike njerëzit kueer dhe brezi i tij mund të zhvillohen lirshëm. Këtë dëshirë utopike, artisti Ismaili e krahason me lulëzimin e bimës nga betoni.

Ismaili i lindur në Prishtinë gjatë luftës, u rrit në një mjedis të pasluftës ku çdogjë transformohej shpejtë para syve të tij. Duke qenë dëshmitar i ndërtimit të një shteti të ri dhe formësimit të një identiteti të ri, e bëri atë të marrë në pyetje dallimin në mes të historisë dhe imagjinatës, natyrales dhe artificiales duke e bërë atë njëkohësisht të vetëdijshëm fuqisë së politikës në formësimin e identitetit. Gjatë formësimit të identitetit “të idealizuar” kombëtar, personat e brezit të ri si Astriti që nuk e shihnin veten si pjesë të këtij identiteti, filluan të gjejnë strehim në muzikë, por edhe humor dhe tregime, të cilat ishin vende për të ëndërruar, ikur dhe imagjinuar. Gjatë gjithë kësaj kohe të zhvillimit të tij në një mjedis të tillë, artisti Ismaili gjithmonë dëgjonte vetëm veten e vet dhe instinktet e veta trupore.

Debuti muzikorë i Astrit Ismailit me titull “Lulja e Parë” (First Flower), tanimë paraqet një shtesë të veprimtarisë mjaft të gjerë dhe serioze të këtij artisti unik të brezit të ri. Vepra eksploron temën e mbijetesës dhe lulëzimit përmes transformimit. Astrit Ismaili kësaj radhe paraqet veprën e tij në formë të albumit muzikorë, duke zgjeruar akoma më shumë krijimtarinë e tij artistike, dhe njëkohësisht duke zgjeruar bashkëpunimin me zëra muzikorë të cilët kultura e popullarizuar tenton ti heshtë.

Artisti Ismaili e sheh artin bashkëkohorë si tepër elitist, që sipas tij duhet ndryshuar. Duke punuar me muzikën pop, artisti përpiqet për të prekur dhe për t’i folur një audience të margjinalizuar që ndihet e izoluar dhe e mënjanuar.

Qëllimi i transformimit të performancës muzikore në album ishte që të mundësojë që arti i tij të lidhet me një audiencë jashtë hapësirave të kufizuara të galerive artistike. Për artistin, është me rëndësi që muzika e tij të kaplojë audiencën, ashtu që ajo të mbetet me një copëz muzike në mendjet dhe zemrat e tyre.

Përmes këtij albumi artisti Ismaili ka dëshiruar të shpjegojë dukuritë kueer që ndodhin brenda botës botanike të patrazuara. Në këngën “Queer Garden”, mes tjerash, teksti flet për fluiditetin seksual të bimëve. Për shembull, druri i Avokados brenda një periudhe 36 orëshe në formë kontinuale transformohet në mes fazave femërore dhe mashkullore. Gjatë ditës, ai liron lule poleni, derisa gjatë natës, lulëzon me sytha polen pranuese. Artisti Ismaili pohon se raste të ngjashme ekzistojnë në natyrë përgjatë qindra mijëra viteve, derisa në shoqëritë tona, çfarëdo që nuk përshtatet me sistemin patriarkal është e shtypur.

“Lulja e Parë” vazhdon të përcjellë preokupimin e artistit me storien e inaugurimit të procesit të lulëzimit në tokë, duke ilustruar vizualisht luftën e lules për mbijetesë, rritje dhe transformim, por edhe fluiditetin e saj seksual. “Kjo formë natyrale e kueer-it e hasur në botanikë, është plotësisht e ndryshme me natyrën tonë, ku njerëzit me orientime të ndryshme apo kueer për të arsyetuar ekzistencën e tyre duhet të luftojnë kundrejt kornizave të shumta politike” (Astrit Ismaili).

Përmes zërit hibrid të zhanrit hiper-pop dhe glam, Ismaili tërheq paralelet në mes të kulturës pop dhe tregimit botanik, duke sfiduar kështu çështjet si standardet e bukurisë dhe disforisë gjinore.

Një këngë e albumit që veçohet me zërat e saj është “Miss Kosovo” e realizuar në bashkëpunim me Mykki Blanco-n. Ky bashkëpunim, së bashku me bashkëpunimet tjera si ato me artistin Lotic dhe Colin Self simbolizon një formë uniteti në mes të komuniteteve të margjinalizuara, dhe përpjekjeve të tyre të përbashkëta për njohje. Sipas Ismailit, në këto mjedise të ashpra në margjina në të cilat rriten si lulet ashtu edhe njerëzit e caktuar të shoqërisë, ka vend për të ndodhur gjëra të mrekullueshme.

Ky album është marrë nga performanca Miss, e cila i referohet tri figurave, Lules së Parë, Cicciolinas dhe Miss Kosovës. Albumi zhvillohet në formë jolineare përmes 7 këngëve dhe veçohet me elemente të theksuara teatrale dhe performuese.

Veprat në album janë bashkëpunime me artistë të veçantë. Lotic ka prodhuar muzikën për “Fear of Death”, një këngë që flet për përkohshmërinë e jetës së luleve. Mykki Blanco ka punuar në këngën “Miss Kosovo”, ndërsa Colin Self ka prodhuar “Voices”, një këngë shumë personale që flet rreth përvojave të artistit me luftën në Kosovë (Astrit Ismaili, 2024).

Artisti i mirënjohur Shqiptar nga Kosova i bazuar në Amsterdam, Astrit Ismaili vazhdon të dedikoj projektet e tij artistike për ti dhënë zë të margjinalizuarve.
Ai në vitin 2020 mbajti performancën në ambient të hapur me titull “mon amour”, e cila kishte për qëllim të sfidonte tensionet e vazhdueshme në shoqërinë Kosovare, si dhe të konfrontonte qëndrimet konservatore ndaj grave.

Ai vazhdon të krijojë art avantgardë me anë te mediumeve të reja si zgjatjet trupore, alter-egot dhe instrumentet e bartshme për të zgjeruar trupin njerëzorë në botën e sotme bashkëkohore përtej normave dhe standardeve antropocentrike, kështu duke i vërë në pikëpyetje binaritetet gjinore, dhe dallimet ndërmjet trupit dhe makinës, natyrales dhe artificiales.

Me performancat e tij në Manifesta 14 në Prishtinë, në Muzeun Stedelijk në Amsterdam, dhe pjesëmarrjen me projektin Miss Kosovo në Brazil dhe Greqi, të dyja këto shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, artisti Ismaili ka arritur një nivel të lartë në karrierën e këtij si artisti i ri. Qasja në këto hapësira ka qenë një platformë për të shtyrë tutje dhe për tu angazhuar në diskurse rreth politikave trupore dhe identiteteve të papranuara.

Për autorin

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.

Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.

KOMENTO

Rishtaz

Albanian