A4 print / Edi Hila

Milot Gusia

Vështrim rreth ekspozitës A4 print / Edi Hila

nga: Milot Gusia 

Ndjekja e së vërtetës artistike është parësore në veprat e artistit Edi Hila. E vërteta, e kuptuar si prezantim i realitetit të botës ashtu si është, është shumë më i rëndësishëm për artistin sesa çfarëdo nocioni i të “bukurës”. 

Për artistin Hila, e vërteta nuk mund të mohohet apo shmanget, madje edhe kur nuk është ajo që dëshirojmë ta dëgjojmë. Madje edhe kur ajo nuk është e “bukur” për sytë e audiencës. Dhe pikërisht është kjo e vërtetë e shprehur vizualisht, pa ndikimin e censurës apo hiperbolizimit, që shërben si dokument i një të kaluare. Ajo nuk ka nevojë për dekorimin.

Procesi kreativ i Edi Hilas është veçantë: lënda e parë për veprat e tij përbëhet jo nga skicat apo vizatimet por nga fotografitë, të cilat ai i editon në Photoshop, duke siguruar një realitet të manipuluar apo ndryshuar. Kjo qasje sugjeron se pikturat e tij nuk kanë për qëllim në rend të parë dokumentimin; më shumë subjektet e veprave janë produkte të një reflektimi të gjatë të artistit ndaj mjedisit të tij.

Në ekspozitën me titull “A4 print / Edi Hila”, të kuruar nga kritiku Shkëlzen Maliqi, audienca ka rastin të takojë burimin e procesit krijues të artistit të mirënjohur Edi Hila, por edhe të përjetojë dy piktura të artistit.

Megjithëse, qëllimi i ekspozitës nuk është të prezantojë fotografitë dokumentare si vepra të veçanta arti, (çka do të ishte vërtetë interesante), fotografia dokumentare në këtë ekspozitë luan rolin vendimtar në sigurimin e të dhënave rreth realiteteve të ndryshme, që në të kundërtën do të ishin të pamundur për ti kuptuar. 

Përmes këtyre imazheve, ne mund të përjetojmë ngjarjet e rëndësishme të historisë së tranzicionit në Shqipëri, por edhe të zbulojmë një kulturë të kohës, dhe të bëhemi të vetëdijshëm ndryshimeve dramatike sociale që kanë ndodhur. Këto fotografi dokumentare mbartin vlera kulturore, duke reflektuar vizionin e artistit dhe interpretimin e tij të realitetit.

Megjithëse Edi Hila nuk konsideron veten si fotograf, veprat e tij fotografike tregojnë të kundërtën. Edhe pse ato janë menduar të finalizohen si piktura në kanavacë, pesha e tyre mbetet e fuqishme.

Edi Hila - A4 Print. Foto: Milot Gusia

Ato me realizmin e tyre të drejtpërdrejtë dhe me vështrimin e mprehtë na kujtojnë veprat fotografike të artistëve si: Adam Broomberg, Oliver Chanarin, apo fotografit gjerman Albrecht Tübke.

Edi Hila - A4 Print. Foto: Milot Gusia
Edi Hila - A4 Print. Foto: Milot Gusia
Edi Hila - A4 Print. Foto: Milot Gusia

Fuqia e veprave pikturale të Edi Hilas është e bazuar pikërisht në realizmin e pa censuruar të fotografive dokumentare, të shkrepura nga artisti. Reproduktimi i saktë i këtyre fotografive dokumentare në kanavacë, është dhe faktori kyç i cili i jep pikturave të tij një dimension të fuqishëm artistik, por edhe social.
Por, padyshim se fuqia më e madhe shprehëse e artistit Edi Hila janë pikturat e tij, të cilat arrijnë të transformojnë realitetin e thjeshtë në një dimension të thellë përjetimi.

Nëse tentojmë të deshifrojmë artin, atëherë do të kuptojmë se ai është në të vërtetë një varg aktivitetesh njerëzore, që në produktin final përfshijnë imagjinatën kreative, shkathtësinë teknike, fuqinë emocionale dhe idenë konceptuale. Dhe të gjitha këto janë prezentë në dy veprat e realizuara në kanavacë në këtë ekspozitë. Pikërisht, në dorën e mjeshtrit, dhe potezave të mprehtë dhe të menduar thellë të tij, realiteti fiton kuptimin e plotë.

Edi Hila - A4 Print. Foto: Milot Gusia

Fuqia e pikturave të Edi Hilas është pikërisht tek ikja nga elitizmi në botën e të përditshmes, e cila na mundëson të lidhemi me kohën dhe me botën përreth.
Dhe pikërisht për këtë arsye, pikturat e Edi Hilas arrijnë të krijojnë reagime shumë më të fuqishme, dhe kuptimplota. Rëndësia e veprave të tij vjen nga rëndësia që ato marrin tek audienca e tyre.

Arti i Edi Hilas është një art që përshkruan nuancat komplekse të prekshme dhe të paprekshme të kulturës Shqiptare. Ai ndërthur kulturën personale me atë kombëtare. Çfarë do të thotë të jesh Shqiptar? Çfarë do të thotë të jesh Evropian? Çfarë do të thotë të jesh Shqiptaro-Evropian? Prandaj, veprat e Edi Hilas tentojnë të përshkruajnë kulturën në një aspekt ndërkulturorë. Ato na japin perspektiva të veçanta. Ato janë sikur një shkrepje në histori dhe antropologji, duke i dhënë një kontekst human gjërave të habitshme që kanë ndodhur në shoqërinë tonë. Ato nuk japin një përgjigje të vetme, por përgjigje të shumëfishta. Përveç se shpërfaqin realitetin e kohës, ato poashtu dëshmojnë si në një shoqëri të tillë mund të kishte krijesa aq të ndjeshme artistësh të cilët interpretuan ngjarjet në formë aq origjinale edhe komplekse.

Edi Hila - A4 Print. Foto: Milot Gusia

Ne sot jemi përditë të ndikuar nga imazhet të cilat na vijnë përmes kanaleve televizive, radios dhe rrjeteve sociale që shpërfaqin probleme të shumta sociale. Ne kaplohemi nga emocionet e përditshme, ndjejmë dhe ngjallim empati, por, nuk jemi në gjendje të reagojmë dhe jemi të pafuqishëm. Prandaj, ne shpesh bëhemi indiferent ndaj imazheve. Por, duhet të kuptojmë se pikërisht imazhet kanë fuqinë të ngjallin emocione, dhe emocionet janë unike që na bëjnë të ndjejmë. Ndërsa, të ndjesh është njëra nga mrekullitë më të mëdha njerëzore.

Kur ne përjetojmë veprat e një artisti të veçantë si Edi Hila, ne zbulojmë se jemi prekur dhe ndryshuar. Dhe pikërisht kjo është fuqia e artit që mundëson që mesazhet të arrijnë tek ne dhe ne të evoluojmë. Ne jemi konstant të inspiruar nga njëri tjetri duke ndarë përvojat tona përmes shkëmbimit të fotografive dhe veprave të artit, të cilat na japin një shpresë që fuqitë tona kolektive të sjellin ndryshime pozitive.

Vegëza tjera rreth ekspozitës:

Për autorin

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.

Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.

KOMENTO

Rishtaz

Albanian