Abetare
Milot Gusia
Vështrim rreth instalacionit “Abetare” nga Petrit Halilaj
Të gjithë kemi pasur momente në fëmijëri, por, edhe në moshën e rritur, kur, duke dëgjuar një bisedë të mërzitshme, jemi futur në mendime dhe kemi filluar të shkruajmë gjëra të rastësishme apo shkarravina. Instalacioni i formatit të madh nga artisti Petrit Halilaj zhurmon këto vizatime të rastësishme fëmijërore duke i kthyer në skulptura monumentale, për të transformuar plotësisht hapësirat e çatisë së Muzeut të Artit Metropolitan në Nju Jork.
Vepra unike e Halilajt hulumton fantazinë e botës fëmijërore, e cila është e shprehur përmes vizatimeve dhe shkarravitjeve nëpër tavolinat shkollore. Artisti ka sjellë këto instalacione në jetë përmes një studimi të vizatimeve të nxënësve në rajonin e Runikut të Kosovës, por edhe në shkollat në Shqipëri dhe rajonin e ish-Jugosllavisë.
Sipas hulumtimeve, vizatimet e nxënësve tregojnë veti të theksuara ndër-kulturore, si në paraqitjen e përvojave jetësore dhe në format e shprehjes. Konsistencat janë aq të mëdha saqë nuk konsiderohet si koincidencë që fëmijët e të gjitha kulturave kanë “një stil” të ngjashëm të pikturimit.
Fëmijët në vizatimet e tyre shprehin dëshirat, ëndrrat, shpresat dhe pritjet jetësore, por, poashtu edhe frikën, dhembjen dhe brengosjen. Vizatimet e tyre shprehin realitetin e përvojës së tyre jetësore, një përvoje që gërsheton të tashmen me të kaluarën dhe të ardhmen.
Kur kemi të bëjmë me vizatimet e fëmijëve, nuk thuhet se fëmija vizaton, por diçka është vizatuar nga një fëmijë, duke ju refereruar kështu ndjenjave dhe imazheve të brendshme që ndikojnë në procesin e vizatimit (A. Krenz “The Secret of Children’s Drawings”)
Qëllimet e vizatimeve fëmijërore janë të shprehin veten apo të lirojnë një formë të trysnisë. Fëmijët përmes vizatimit lirojnë veten nga mendimet dhe ndjenjat që i kaplojnë.
Tek vizatimet e fëmijëve nuk ka forma korrekte dhe të gabuara, të bukura apo të shëmtuara. Kur fëmijët vlerësojnë veten dhe mjedisin e tyre, bazuar në vlerat e ngarkuara emocionalisht, atëherë vizatimet e tyre gjithmonë korrespondojnë me atë që konsiderohet si e drejtë në imagjinatën e tyre (A Krenz. “The Secret of Children’s Drawings”).
Prandaj, tek nxënësit vlen koncepti: “ashtu si personi ndihet, ashtu dhe mendon, dhe ashtu si mendon, ashtu dhe vepron.” Jeta e ndjenjave formëson drejtimin e të menduarit të nxënësve dhe sjell një paternë të sjelljes korresponduese.
Prandaj, nuk ka gjykime korrekte apo objektive tek vlerësimi i vizatimeve të nxënësve.
Nxënësit paraqesin një figurë më të madhe se tjerat dhe në disproporcion sepse pikërisht ajo figurë ka rëndësi më të madhe në jetën e tyre. Kështu, një merimangë mund të jetë më e madhe se një shtëpi.
Ajo çka shihet nga materialet e përmbledhura, shpërfaq tek fëmijët një ndikim të ndryshimeve socio kulturore të këtij rajoni.
Kur fëmijët janë të mërzitur, sistemi i tyre lufton dhe do të bëjë gjithçka që mundet për t’u përmbledhur dhe për të qëndruar vigjilent, ose ai fluturon. Shkarravinat janë një përpjekje e fundit për të qëndruar zgjuar dhe të vëmendshëm.
Shkarravinat pengojnë që fëmijët të bien në gjumë, ose thjesht të shikojnë bosh kur truri i tyre tashmë është fikur.
Për më tepër, vëmendja e vazhdueshme e sforcon trurin dhe shkarravinat mund të jenë i vetmi pushim që trurit i duhet të vazhdojë të ndjekë pa humbur interesimin e plotë.
Megjithëse shkarravinat konsiderohen nga mësuesit si shpërqendrim i mendjes, hulumtimet e fundit tregojnë të kundërtën.
Sipas hulumtimeve shkarravitjet përmirësojë vëmendjen dhe kujtesën. Në një studim të kryer, pjesëmarrësit që bënin shkarravina ndërsa dëgjonin një mesazh të mërzitshëm zanor, kujtonin 29% më shumë informata në krahasim me ata që nuk shkarravitnin (Harvard.edu “The Thinking Benefits of Doodling”)
Vizatimet spontane gjithashtu çlirojnë nga shqetësimi psikologjik, duke e bërë më të lehtë përcjelljen e ngjarjeve. Ne na pëlqen t’i japim kuptim jetës sonë duke krijuar histori logjike, por ndonjëherë, sado që përpiqemi ka boshllëqe që nuk mund të plotësohen me anë të logjikës.
Shkarravinat plotësojnë këto boshllëqe, ndoshta duke aktivizuar një makinë të udhëtimit të trurit në kohë, kështu duke e lejuar atë të gjejë pjesë të kujtimeve të humbura të enigmës jetësore, duke i sjellë ato nga e kaluara në të tashmen dhe duke e bërë përsëri pamjen e jetës sonë më të plotë (Harvard.edu “The Thinking Benefits of Doodling”).
Edhe pse shkarravinat mund të duken si fjalë të rastësishme që nuk kanë kuptim, si p.sh. një fytyrë e pjesshme që befas bëhet diçka jashtëtokësore, ato nuk janë aq të rastësishme sa ne mendojmë. Mjekët përdorin shkarravina për të diagnostikuar problemet emocionale të pacientëve të tyre.
Shkarravina mund të zbulojnë se çfarë po ndodh me nënvetëdijen. Në të njëjtën mënyrë si aparati që transmeton aktivitetin e trurit në një copë letër, edhe dora transmeton aktivitetin e nënvetëdijes (Harvard.edu “The Thinking Benefits of Doodling”).
Këto skulptura ne tregojnë gjenialitetin e fëmijëve ndërsa na kujtojnë gjithashtu ndikimin e madh të tyre në artin avantgard. Vizatimi i pavetëdijshëm arrin të futet në thellësitë e nënvetëdijes, sikur teknika e vizatimit automatik e përdorur nga Surrealistët dhe lëvizjet tjera të artit modern.
Kjo formë e vizatimit apo pikturimit pa kontrollin e vetëdijes apo të menduarit mundëson nënvetëdijen të udhëheqë dorën, duke rezultuar me kompozicione spontane dhe shpesh abstrakte. Vizatimi automatik nga aspekti psikologjik është i ngjashëm me lëvizjet trupore të pa vetëdijshme (sikur somnambulizmi apo frymëmarrja).
Sigmund Frojdi kishte eksploruar nënvetëdijen e pacientëve përmes asociacioneve të lira dhe pikërisht arti i pikturimit instinktiv ishte ndikuar nga kjo qasje e Frojdit.
Andre Breton, poeti Francez dhe themeluesi i Surrealizmit, kishte zbuluar vizatimin automatik si një formë për të hyrë në pjesët më të thella të psikes së artistit.
Çfarë ndodh gjatë vizatimit automatik? Artistët qëllimisht shmangin mendimin racional apo kontrollin derisa krijojnë vizatime automatike. Qëllimi është të përcillet nënvetëdija – duke shpalosur kështu përvojat, emocionet dhe mendimet e brendshme që nuk janë plotësisht të vetëdijshme.
Kur nxënësi përdorë logjikën apo të menduarit e vetëdijshëm, shtypen shprehjet e nënvetëdijes së vërtetë. Pablo Pikaso dhe artistët tjerë përdorën surrealizmin dhe automatizmin, duke e zgjeruar këtë teknikë përtej vizatimit në pikturë dhe mediumet tjera artistike (I. Meyer. “Automatic Drawing – Exploring the Art of the Subconscious”)
Arti i nënvetëdijes është i lidhur ngushtë me proceset që zhvillohen jashtë vetëdijes, si ëndrrat, intuita dhe imagjinata spontane. Ai mundëson lirimin e përvojave që në të kundërtën mbeten të fshehura. Prandaj, vizatimi i pavetëdijshëm komunikon misteret e fshehura të imagjinatës njerëzore.
Kur fëmijët gjejnë veten të mbërthyer ose ndihen “të paplotë”, një ikje e shkurtër nëpër shkarravina mund të jetë pikërisht gjëja që atyre i duhet. Kjo aktivizon qarqet e “shfokusimit” të trurit, duke i dhënë qarqeve të “përqendrimit” një pushim dhe të lejojë zgjidhen në mënyrë më kreative dhe të palodhshme të problemeve të ndryshme.
Në instalacionet skulpturore të Halilajt sikur në vizatimet e nxënësve gjejmë pothuaj të gjitha elementet kyçe, apo të ashtuquajturat grafemat apo shenjat bazike të cilat shtrihen nga pika e deri tek vijat e ndryshme vertikale, diagonale dhe horizontale përgjatë vijave të lakuara, zigzage dhe formave valore deri tek spiralet, rrathët dhe vijat e hapura.
Çdo shenjë apo grafemë korrespondon me një etapë specifike të zhvillimit në jetë. Ajo që vlen të përmendet është shpeshtësia e përsëritjes së një shenje të caktuar.
Nëpër vizatime mund të observojmë edhe nivelet e personalitetit të fëmijëve. Poashtu, mund të vështrojmë tre elemente: të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Vizatimet na japin informata se në cilën periudhë nxënësi po jeton më fuqishëm, në aspektin kognitiv dhe emocional.
Ajo që është më befasuese, është se madje edhe 26 nga 44 presidentët e Shteteve të Bashkuara, gjatë takimeve kanë bërë shkarravina. Teodore Ruzvelti kishte vizatuar në formë të pavetëdijshme kafshët, Ronald Regani kaubojë dhe lojtarë futbolli, ndërsa Gjon F. Kenedi nëpër shkarravina kishte bërë domino.
Çdo vizatim i fëmijëve sado i rastësishëm që duket ka një kuptim jetësorë për te.
Prandaj, vizatimet e nxënësve janë një arkiv shumë i vlefshëm që ndihmon të kuptojmë botën e tyre, të zbulojmë vlerat e tyre të brendshme dhe të tërheqim konkluzione përkatëse. Vizatimet e fëmijëve gjithmonë i pranojmë me respekt dhe vlerësim, pasiqë ata po na besojnë me “ditarin e tyre shpirtërorë.”
Prandaj, vepra e Petrit Halilajt pikërisht duke u rrënjosur në historinë e tij personale por edhe të fëmijëve tjerë të sotëm arrin të shpërfaqë ditarin shpirtërorë të fëmijëve të rajonit.
Intervista me artistin —Petrit Halilaj: The Roof Garden Commission, Abetare | Met Exhibitions
Referencat:
- Armin Krenz. “The Secret of Children’s Drawings” linku: https://www.waldorflibrary.org/articles/1238-the-secret-of-childrens-drawings.)
- Harvard.edu “The Thinking Benefits of Doodling” linku: https://www.health.harvard.edu/blog/the-thinking-benefits-of-doodling-2016121510844
- Isabella Meyer. “Automatic Drawing – Exploring the Art of the Subconscious”. Linku: https://artincontext.org/automatic-drawing/)
- ChertLüdde Gallery. Petrit Halilaj. Linku i galerisë: https://chertluedde.com/artist/petrit-halilaj/
- The Metropolitan Museum of Modern Art. The Roof Garden Commission: Petrit Halilaj, Abetare. Linku: https://www.metmuseum.org/exhibitions/the-roof-garden-commission-petrit-halilaj
Për autorin
Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.
Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.