Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës

Milot Gusia

Vështrim rreth veprës “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”

nga: Milot Gusia 

Përvojat njerëzore në esencën e tyre kanë shkëmbimin e tregimeve dhe lidhjen me të tjerët. Ashtu si kishte pohuar poetja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Maya Angelou “nuk ka agoni më të madhe se mbajtja e një tregimi ndrydhur brenda jush”.

Instalacioni skulpturor “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” është një projekt multidimensional që me kompleksitetin e tij prek përvojat njerëzore.

Instalacioni skulpturorë ka fillin tek rrëfimi personal i nënës së artistes Doruntina Kastrati, të cilit ju bashkuan edhe rrëfimet tjera të punëtoreve të fabrikës së llokumeve. Këto rrëfime nga margjinat flasin për punëtorët e zakonshëm të cilët janë sjellë në pozitë të pafuqishme në shoqëri. Të shtyrë në periferi, zëri i tyre është bërë më pak i vlefshëm sesa normat shoqërore.

Prandaj, lëkura në instalacion simbolizon sensualitetin dhe brishtësinë, por edhe vdekshmërinë. Ajo në këtë vepër nuk mbetet vetëm një mbulesë dekorative, por përcillet si një kanavacë e rrëfimeve, për të futur audiencën brenda lëkurës së përvojave personale.

“Të mos jesh në gjendje të tregosh historinë tënde, të heshtësh dhe të mbyllesh, do të thotë të dehumanizosh” është thënia e shkrimtares Turko-Britanike Elif Shafak të cilën artistja e sjell në dritë në fjalën e saj, duke përcjellë tek audienca urtësi humane dhe emocione të veçanta. Megjithëse vepra shpalos një të vërtetë të trishtë të Kosovës së pasluftës, ajo poashtu inkurajon vizitorët të marrin fuqinë për të përballuar të vërtetën. E vërteta e kësaj vepre përmblidhet më së miri me thënien “Ose ma jepni lumturinë e injorantit, ose më jepni fuqinë për të përballuar të vërtetën”.

Njerëzit e zakonshëm sikur rasti i punëtorëve të fabrikës kanë frikë se tregimet e tyre nuk kanë vlerë dhe mund të keqkuptohen. Por, e vërteta thotë se vetëm tregimet e tilla kanë potencialin e transformimit dhe fuqizimit, por edhe të krijimit të lidhjeve mes nesh.

Duke i dhënë zë këtyre tregimeve, artistja ka arritur të sfidojë narracionet dominante dhe të krijojë hapësirë për perspektiva të reja. Dhe pikërisht këto rrëfime janë ato që i japin fuqi dhe kuptim të plotë kësaj vepre skulpturore.

Përdorimi i metalit si material në vepër thekson qëndrueshmërinë e grave, dhe rezistencën e tyre ndaj kohës, duke simbolizuar poashtu dhe fuqinë e tyre. Dritëhija e lozur në sipërfaqen e skulpturave metalike krijon nuanca dinamike duke prezantuar kështu kontradiktat e ndërtimit dhe shkatërrimit njerëzorë.

Skulpturat me formatin e tyre të theksuar na kujtojnë veprat e artistit Aleksandër Kalder, të njohur për lëvizjet e tij dinamike dhe balancimet subtile kinetike. Por, tek këto skulptura, lëvizja përveç se është kinetike është edhe elektromagnetike. Skulpturat në këtë rast nuk janë objekte statike, por funksionojnë si instrumente muzikore.

Një prekje e vogël bën që skulpturat të vibrojnë, duke emetuar tone delikate. Kjo mundëson angazhimin hapësinor. Këto skulptura thërrasin shikuesit të angazhohen fizikisht me veprat. Vizitorët mund të kalojnë përreth tyre, ti prekin, apo madje të ulen brenda skulpturave, për t`u bërë pjesë e përvojës së plotë vizuale dhe zanore, dhe njëkohësisht për t`u zhytur në rrëfimet e veprës.

Skulpturat zanore evokojnë tinguj natyral. Cilësitë e tyre delikate i bëjnë vizitorët të lidhen me mjedisin dhe perceptimet e tyre shqisore. Ndërthurja në mes të formës, materialit dhe zërit në këto vepra është unike. Ato na thirrin të dëgjojmë, ndjejmë dhe reflektojmë rreth rrëfimeve që fshihen brenda formave të metalit të heshtur dhe kumbues.

Ato me muzikalitetin e tyre na kujtojnë veprat e artistit italian Harry Bertoia, i cili poashtu u bë i njohur me krijimin e skulpturave me zë. Përfshirja e zërit si një elementi integral mundësoi krijimin e skulpturave komplekse rezonante, të cilat me format e veta organike ndërveprojnë me mjedisin për të liruar zëra subtil.

Edhe vet dyshemeja është e projektuar të lirojë vibracione kumbuese. Përdorimi i vibracioneve në dysheme na kujton artistin italian Loris Cecchini, i cili në formë mjeshtërore kombinonte instalacionin me skulpturën. Të kujtojmë ciklin e fundit të veprave të tij me titull “Wallwave Vibrations” që transformonte muret e galerisë në valë pulsuese elektromagnetike.

Pjesa zanore e instalacionit skulpturor është realizuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.

Paul Hauptmeier është një ekspert i cili ka për specializim eksplorimin e mundësive të shfrytëzimit të realitetit të zgjeruar dhe virtual në art. Ai ka qenë edhe më herët (më 2022) pjesë e Bienales, me ligjëratat e tij që fokusoheshin në ndërthurjen e muzikës, teknologjisë dhe realiteteve të zgjeruara (AR/VR).

Në anën tjetër, Martin Recker është një artist dhe kompozitor i njohur në fushën e zërit dhe përdorimit të multimedias në art. Recker dhe Hauptmeier kanë punuar së bashku në realizimin e veprave të shumta artistike, duke përfshirë opera, performanca elektrike, radio art dhe muzikë elektro-akustike. Ndër veprat e shumta që mund të dëgjohen nga bashkëpunimi i këtyre artistëve veçohen: “Vent 2018” (versioni binaural), “Geteilte Räume” (me Hauptmeier) dhe “Leaps 2016”.

Instalacioni Skulpturor “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” me përmbajtën e vet të thellë dhe materializimin unik ka arritur të përcjellë mesazhe të rëndësishme. Fuqia e këtyre instalacioneve mbështetet tek storia unike që i ka sjellë në jetë.

Këto rrëfime kanë arritur përkundër dallimeve të bëjnë lidhjen në mes të gjeneratave dhe kulturave të ndryshme. Ajo që është e veçantë për sa i përket tregimeve të sjella nga Qendra Narrative, është se çdo tregimtar ka sjellë një perspektivë unike, duke pasuruar kështu kujtesën tonë kolektive.

Në përgjithësi, instalacionet skulpturale evokojnë emocione të vërteta, ngjallin imagjinatën dhe kaplojnë këto të vërteta duke i bërë ato universale. Materializimi i qëlluar i narracioneve ka arritur të shkaktojë emocione që në rastin e kësaj ekspozite ka tejkaluar barrierat gjuhësore dhe kulturore. Mesazhet personale në këtë vepër janë kthyer në mesazhe kolektive dhe universale.

Vepra është përshtatur mirë me konceptin e përgjithshëm kuratorial të thurur nga kuratori Adriano Pedrosa që ka prekur temën e të huajit, duke krijuar një paralelë me artistin, i cili në kohërat moderne ndanë shumë të përbashkët me të huajin. Të kujtojmë se si artisti ashtu dhe i huaji janë në margjina, sfidojnë normat e shoqërisë dhe besojnë dhe vlerësojnë gjëra që janë të kundërta me shumicën.

Adriano Pedrosa (i lindur më 1965) paraqet kuratorin e parë i cili nuk ka prejardhje Evropiane apo Amerikano Veriore në Bienalen e Venecias. Adriano Pedrosa është kurator Brazilian, i cili është dhe drejtor artistik i MASP-it apo Muzeut të Artit në Sao Paulo. Fillimisht duke qenë vet një artist i kthyer në kurator, Pedrosa po tregon një sukses të madh në organizimin e ngjarjeve artistike. Për titullin e Bienales së këtij viti “Të huajt gjithandej”, artisti ka gjetur inspirimin tek vepra e artistes Claire Fontaine. Pedrosa tregon një qasje unike ndaj kurimit të ngjarjeve artistike, përmes një diversiteti të cilin e arrin duke sjellë në dritë artistë të harruar, por, edhe duke sjellë artistë të rinj dhe të panjohur, kështu duke larguar artin nga mjedisi elitist.

Ekspozita e tij e mirënjohur me titull “Historitë Afro-Atlantike” e mbajtur në MASP Sao Paulo, ka siguruar një strukturë teorike e cila po përfshin një histori më inkluzive dhe gjithëpërfshirëse arti.

Është e vërtetë se të jesh i huaj bart një peshë, sepse zemra jote është dikund tjetër, ndërsa kërkon pranimin dhe përshtatjen në mjedisin tënd të ri. Tematika e këtij edicioni na bën të reflektojmë për përkatësinë tonë, identitetin dhe vlerat në kohërat e sotme globale.

Në anën tjetër instalacioni skulpturorë na kujton, se çdo zë ka rëndësi dhe kuptimi i sa më shumë zërave na mundëson të krijojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më mirëkuptuese.

Këto skulptura mund të përmblidhen në një thënie tjetër të Elif Shafakut:” çdo dashuri dhe miqësi e vërtetë është një tregim i një transformimi të papritur. Nëse keni mbetur i njëjti person para dhe pas dashurisë, do të thotë që nuk keni dashuruar sa duhet.”

E gjithë ekspozita është shoqëruar me botimin e bazuar në hulumtim, ku janë prezantuar tri histori gojore të ish-punëtoreve të Fabrikës së Llokumeve. Këto tregime të përfshira në këtë botim të veçantë inkurajojnë edhe gratë tjera të lirohen nga heshtja dhe të përqafojnë zërat e tyre unik dhe rrëfimet e tyre personale.

Doruntina Kastrati, “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”. Pavijoni i Republikës së Kosovës në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare e Artit, La Biennale di Venezia. Foto: Sabina Matulka
Doruntina Kastrati, “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”. Pavijoni i Republikës së Kosovës në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare e Artit, La Biennale di Venezia.
Shënimet e skanuara të Fitnete Veselaj Kastrati, nënës së artistes, të lëna familjes, 2012. – Foto: Pavijoni i Republikës së Kosovës.

Historia e pjesëmarrjes së Kosovës në Bienalen e Venecias

 

Nëse analizojmë këtë vepër artistike dhe pjesëmarrjen e saj në edicionin e gjashtë me radhë për Kosovën në Bienalen e Venecias mund të konkludojmë se është ndër më të suksesshmet.
Por, mos të harrojmë edhe një trashëgimi unike që Kosova po e krijon në artin avantgard nëpër këto festivale. Në vitin 2013 kishim artistin e mirënjohur Petrit Halilaj që ishte paraqitur me instalacionin e tij: Jam i untë me të pasë ngat…”. Pastaj, më 2015 kishin Flaka Halitin me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 kishim artistin e mirënjohur Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, që ishte një thirrje unike për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës. Më 2019 artisti Alban Muja me video instalacionin “Family Album” (Albumi familjar), në formë unike përcolli rrëfimet e brezit të ri të pasluftës në Kosovë, ndërsa, më 2022 artisti Jakup Ferri u prezantua me veprën e tij “Monumentaliteti i përditshmërisë”.

Vegëza të jashtme:

  1. Pavijoni i Republikës së Kosovës Ekspozita e 60-të Ndërkombëtare e Artit, La Biennale di Venezia. Linku: https://2024.pavilionofkosovo.com/about?lng=al
  2. Exibart, Shpërblimet në Bienalet e Venedikut. Linku:https://www.exibart.com/premi/i-leoni-della-60-esposizione-internazionale-darte-la-biennale-di-venezia/
  3. ObserverKult. KOSOVA HAP PAVIJONIN E SAJ NË BIENALEN E VENECIAS. Linku: https://observerkult.com/kosova-hap-pavijonin-e-saj-ne-bienalen-e-venecias/
  4. Kultplus. Doruntina Kastrati do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Venedikut 2024. Linku: https://www.kultplus.com/arti-pamor/doruntina-kastrati-do-te-perfaqesoje-kosoven-ne-bienalen-e-venedikut-2024/

Për autorin

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.

Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.

KOMENTO

Rishtaz

Milot Gusia

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës. Ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin e Staffordhire-it Britani e Madhe.

Albanian